Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar mbi 99% të votave të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ndërsa sot ka nisur edhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Nga ky komision kanë njoftuar s, gjatë këtij procesi do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike, dhe për pas do të bëhet numërimi i votave nga diaspora, i votave me kusht, i personave me aftësi të kufizuara si dhe i aspekteve të tjera.
Nga ana tjetër, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme lidhur me problemet teknike të faqes elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e zgjedhjeve. Nëpërmjet një njoftimi për media, Kryeprokuroria njoftoi se pasi kanë pranuar informacion rreth mosfunksionimit të platformës online të KQZ-së, është kërkuar nga ky institucion marrja e informatave të nevojshme.
Kryeprokuroria e shtetit
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mosfunksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo”.
Prokuroria pritet të vërtetojë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.
Kujtojmë se pak kohë pas mbylljes së kutive të votimit në territorin e Kosovës nga ora 7 e mbrëmjes kur filloi numërimi i votave, nga KQZ-ja u bë e ditur se kanë probleme teknike me faqen e tyre elektronike.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ, Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese me 40.83 për qind të votave, pasuar nga PDK-ja me 22.15 për qind dhe LDK-ja me 17.59 për qind. Në rezultatet preliminare të KQZ-së nuk janë përfshirë votat me kusht, ato të personave me aftësi të kufizuara dhe votat e mërgatës.
Teuta Buçi /SHENJA/