Një 67-vjeçar është arrestuar dhe djali i tij është proceduar penalisht pasi kishin zaptuar një hapësirë publike në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, duke vendosur blloqe betoni dhe automjete për të penguar parkimin e banorëve.
Sipas Policisë, B. D., 67 vjeç, dhe djali i tij E. D., 25 vjeç, jo vetëm që kishin bllokuar vazhdimisht hapësirën publike me objekte të ndryshme, por edhe konfliktoheshin me banorët që tentonin të parkonin në atë zonë. Dyshohet se kishin falsifikuar dokumente për të justifikuar pronësinë, ndërsa janë hetuar edhe për vetëgjyqësi, pengim të qarkullimit dhe kanosje.
Aksioni u ndërmor në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, dhe u mbështet nga strukturat e policisë, Forcat “Shqiponja”, si dhe Drejtoria e Mirëmbajtjes së Trotuareve e Bashkisë Tiranë.
Autoritetet larguan blloqet e betonit dhe sekuestruan më parë dy automjete të vendosura në mënyrë të paligjshme në të njëjtën hapësirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Policia theksoi se aksionet për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin.