Një qytetar vlonjat është futur me forcë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ditën e sotme.
I riu ka shtyrë derën për t’u futur brenda sallës ku zhvillohej mbledhja. Teksa e përplasi, ai goditi efektiven që ndodhej e ulur pas dere.
Vlonjati iu drejtua anëtarëve të Këshillit Bashkiak duke u shprehur se “të gjithë mashtruesa jeni, plehrat e m*tit, intrigantë”.
“Të gjithë mashtruesa jeni, kemi 5 vite që po kërkojmë lekët tona dhe s’po na i jep njeri”, shprehet ai.
“Çfarë duhet të bëni? Ti vini para këto të gjithë. 5 vite të dëgjojmë ne këta, plehrat e m*tit, intrigantë”, i drejtohet një prej personave të pranishëm.
Më pas, i riu doli nga salla e mbledhjes dhe u shpreh për mediat se indinjata e tij erdhi për shkak se nuk po bëjnë pronësimet.
“Problemi është se kam 5 vjet dhe nuk po na shpronëson asnjëri. Disa pjesëtarë aty i kanë marrë dhe nuk m’i kanë dhënë, disa të tjerë jo. Te porti jetoj, tani jam pa banesë fare unë, ma kanë prish shtëpinë, dhe lekët nuk m’i kanë dhënë akoma. Është normale kjo? Të gjithë e shtyjnë, nesër e ke gati më thonë. Ditën tjetër më thonë pasnesër, pastaj se kemi mbledhje ne. Unë nuk dua t’ja di se çfarë mbledhjesh keni ju, unë jam midis jush, e si qytetar kërkoj të drejtën time. Kam folur me këta dhe pritjet janë skandaloze, manipuluese. U thashë atëhere, nuk prishim shtëpitë pa marrë asnjëri shpronësimet, tani i prishën dhe shpronësimet nuk na i dhanë. I kërkuam dhe nuk na kthyen përgjigje. A ka shtet këtu? Si puna jonë janë 25 veta. Nuk na kanë pritur as në Këshill, na anashkalojnë”.