Një ngjarje e rëndë u raportua ditën e sotme në Roskovec ku vjehrri vrau nusen e djalit dhe më pas i dha fund jetës së tij duke u vetëvaruar. Ngjarja ka tronditur fshatin Vidhishtë të Roskovecit. Banorët kanë treguar se janë shokuar kur kanë dëgjuar lajmin.
“Nuk kam dëgjuar asgjë për konflikte, nuk di të them, shumë njerëz të mirë”, ka thënë një banore.
Ndërsa një tjetër banore e fshatit tha se nuk dinte që familja të kishte probleme dhe se të vërtetën e të gjithë situatës e dinë vetëm familjarët.
“Nuk dimë gjë për probleme, atë e din familja. Ne jemi pak si të largët, nuk i dimë detajet”, ka thënë një tjetër qytetar.
Por, sipas të afërmes së autorit të krimit, 61-vjeçari e kishte kërcënuar të birin të mos e merrte për nuse 30-vjeçaren, Merushe Hazizi, pasi do i vriste të dy dhe më pas do vriste dhe veten.
“Nuk ishte dakord me djalin, ai thoshte mos e merr atë mos e mbaj në shtëpi se unë nuk e dua nuse kaq. Ne jemi të tanët, burri im e ai vëllezër. I kishte thënë djalit gjithmonë “unë do të vras e ty e atë e do vetëvarem. Edhe ziheshin për shkak të asaj nuses se i mirrnim vesh ne. Ishin në rregull të tërë, punon bënin, ai me zetor ishte sot djali, mbolli bëri, s’dinte gjë e kishte lënë në shtëpi nusen’, tha gruaja në një prononcim për mediat.
Ngjarja ndodhi sot rreth orës 12:30, në fshatin Vidhishtë, Roskovec, ku shtetasi Xhevair Hoxha, 61 vjeç, dyshohet se në banesë ka vrarë me thikë bashkëjetuesen e djalit, shtetasen Merushe Hazizi, 30 vjeçe dhe më pas ka varur veten në një pemë pas banese.





