Vijon të jetë aktiv zjarri që ka përfshirë disa magazina në tregun e rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët dhe bizneset e zonës.
Sipas raportimit të gazetares Xhensila Kodra, flakët janë të përmasave të mëdha dhe po rrezikojnë seriozisht edhe disa biznese që ndodhen pranë tregut. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, situata mbetet e vështirë për t’u vënë nën kontroll.
“Në vendngjarje ndodhen gjashtë mjete zjarrfikëse dhe rreth 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, por flakët ende nuk janë neutralizuar,” raportoi gazetarja.
Për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarrit dhe tymit të dendur, banorët e pallateve përreth janë evakuuar nga banesat e tyre si masë sigurie. Ndërkohë, policia ka vendosur shiritin e perimetrit të sigurisë dhe po mban larg qytetarët, teksa në zonë janë grumbulluar shumë banorë të shqetësuar.
Autoritetet po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e rënies së tij dhe nëse ka persona të lënduar.


