Rasti i 44-vjeçarit shqiptar që u gjet i vdekur me një plagë plumbi në kokë, brenda një stalle në Messinia (Kallamata) të Greqisë, po shkon drejt një përmbysjeje hetimi.
Kjo, pasi mjeku ligjor ka identifikuar prova që sugjerojnë se vdekja ka të ngjarë të ketë qenë vetëvrasje dhe jo një akt kriminal. Informohet se hetimi ëhstë mbështetur në gjurmët e gjetura në vendngjarje, kryesisht nga ato balistike dhe të qitjes, barutit dhe mbetjeve të tjera.
Sipas informacioneve, gjetjet nga ekzaminimi mjeko-ligjor “tregojnë” se ka shumë të ngjarë që shqiptari ta ketë drejtuar pushkën nga vetja dhe të ketë kryer vetëvrasje.
Një mundësi që përforcohet edhe nga një dëshmi e një personi të afërt me 44-vjeçarin, i cili dyshohet se i tha policisë se viktima herë pas here kishte deklaruar se kishte ndërmend t’i jepte fund jetës së tij. Miku i tij edhe e gjeti trupin e pajetë në stallë.
44-vjeçari u qëllua me një pushkë gjahu që u gjet e fshehur dhe e zbrazur në një distancë të shkurtër nga trupi. Vajza e pronarit të stallës u tha autoriteteve se arma i përkiste babait të saj të moshuar, i cili po përballet me probleme serioze shëndetësore, informon “Protothema“.
Pista kryesore ishte një vrasje e mundshme, edhe për shkak të të kaluarës së viktimës.
Vajza e pronarit të armës gjithashtu vuri në dukje se kur ajo dhe partneri i saj e gjetën 44-vjeçarin të vdekur, u frikësuan dhe vendosën ta fshihnin armën në mënyrë që të mos akuzoheshin, duke shtuar se më pas i njoftuan autoritetet.
Gjithsesi hetimet nuk quhen ende të mbyllura dhe po vijojnë, teksa do pritet konkluzioni përfundimtar.
Krimi u zbulua pasditen e së martës (28 prill), kur trupi i pajetë i 44-vjeçarit u gjet në një stallë në zonën Burna.
Viktima u zbulua nga një çift, një 47-vjeçar shqiptar dhe një 50-vjeçare greke, vajza e pronarit 90-vjeçar të stallës, të cilët dyshohet se e kishin strehuar përkohësisht. Ata ishin gjithashtu personat që njoftuan policinë.
Sipas burimeve, 44-vjeçari nuk ishte banor i zonës së Kalamatës, por jetonte prej kohësh në rajonin e Korinthit.
Ai kishte qenë më herët në vëmendjen e autoriteteve për çështje të drogës, pasi ishte arrestuar për kultivim të bimëve narkotike.


