Mjeku kirurg Fitim Shini, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të 15-vjeçarit të plagosur me thikë në Durrës, nga një tjetër adoleshent.
Në një prononcim për mediat Shini tha se i mituri ndodhet në reanimacion, i intubuar, dhe vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Sipas mjekut, adoleshenti ka mbërritur në urgjencë me katër plagë në zonën e gjoksit, ndërsa njëra prej tyre depërtonte drejt zemrës, duke i shkaktuar komplikime serioze.
“Për momentin pacienti ndodhet në reanimacion, i intubuar dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Shpresoj që në 24 ose 48 orët e ardhshme gjendja të stabilizohet dhe të dalë nga reanimacioni. Fëmija erdhi në urgjencë me disa plagë, 4 plagë në rajonin e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte në zemër në dy nivele dhe ka shkaktuar gjendjen traumatik. U ndërhy menjëherë dhe gjendja u stabilizuar. Ka marrë në sallë tre flakon gjak, për momentin vijon gjendja e rëndë në reanimacion”, tha mjeku.
Si ndodhi ngjarja?
Burime për Panorama Online bëjnë me dije se përplasja mes adoleshentëve nisi fillimisht në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve, duke përfunduar më pas në një sherr masiv mes dy grupeve adoleshentësh.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme (25 nëntor) në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës, ku të miturit kishin lënë takim me njëri-tjetrin me pretendimin për t’u “sqaruar” pas debateve online.
Të dy adoleshentët mbërritën në vendin e takimit të shoqëruar nga miq të tjerë dhe pas debatit me tone të ashpra situata degjeneroi në përleshje fizike, ku janë përdorur edhe sende të forta.
Gjatë konfliktit, 14-vjeçari me inicialet M.K. ka goditur me thikë katër herë 15-vjeçarin, duke e plagosur rëndë.
Autori i dyshuar është arrestuar nga Policia e Durrësit, ndërsa 15-vjeçari ndodhet në Spitalin Rajonal në gjendje të rëndë.
NJOFTIMI I POLICISE
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur më datë 25.11.2025, në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve.
Pas identifikimit të autorit, shërbimet e Policisë kontrolluan në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku pas disa orësh bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 14 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.


