Një incident është regjistruar së fundmi në Devoll, ku kandidati në listën e sigurt të Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, dhe vëllai i tij, Alti Nallbati, i njohur me nofkën “Duçja”, janë përfshirë në një konflikt verbal me një shofer kamioni.
Nga pamjet e siguruara, shihet që deputeti Bledion Nallbati e godet me grusht shoferin, ndërsa edhe vëllai i tij përfshihet në konflikt, duke tentuar ta nxjerrë këtë të fundit nga kabina e kamionit.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta. Sipas burimeve pranë prokurorisë, në deklarimet e dhëna pas incidentit, dy vëllezërit kanë pohuar se shoferi i kamionit po udhëtonte me shpejtësi dhe kishte rrezikuar t’i godiste nga pas.
Pas përplasjes verbale, të tre personat janë shoqëruar në ambientet e komisariatit të Devollit, ku kanë dhënë sqarimet përkatëse në lidhje me ngjarjen. Pas përfundimit të procedurave standarde, të tre shtetasit janë lënë të lirë.
Ndërkohë, mësohet se shoferi i kamionit ishte në tranzit nga pika kufitare e Kapshticës, duke kaluar përmes Devollit.