Ka përfunduar pas më shumë se tre orësh protesta e katërt e thirrur në Tiranë kundër ndërtimeve në Zvërnec.
Ndryshe nga tre protesta e tjera, kjo e sotmja nisi me përplasje, pasi qytetarët u përballën me policinë teksa çanë gardhin metalik te Ura e Lanës, i vendosur si masë sigurie për ndeshjen miqësore Shqipëri-Izrael, dhe marshuan duke u mbledhur para kryeministrisë.
Ashtu si ditët më parë, edhe sot qytetarët i bën të qarta kërkesat e tyre, dhe kërkuan sërish anulimin e projektit dhe dorëheqjen e tij nga qeveria. Ndër të tjera, ata theksuan sërish që e kanë refuzuar ftesën e tij për t’u ulur për dialog.
“Edi Rama, të ka mbetur vetëm një vendim i fundit për të marrë, të japësh dorëheqjen. Koha jote e talljes me shqiptarët, me Kombinatin, Durrësin, Lezhën, Vlorën dhe e vjedhjes së Shqipërisë i erdhi fundi.
Ti je hajdut dhe kryehajdut, je tradhtar i Shqipërisë. Duhet të japësh dorëheqjen një orë e më parë.
Pa hequr dorë ti nga kjo zyrë, ne nuk do të largohemi. Do të rrimë këtu deri sa të thuash: “Jam i mbaruar”. Kam vetëm një fjalë për të gjithë shqiptarët e lodhur dhe të munduar nga Edi Rama, të qëndrojmë këtu deri sa të realizojmë dorëheqjen e Edi Ramës”, tha një prej qyetarëve.
“Është e qartë se është protestë e popullit, nuk ka nevojë për organizatorë. Jeni ju ata që bëni thirrje, që merrni vendimet. Ne nuk kemi grup dialogu për kryeministrin, dialogu është sheshi”, tha një tjetër.
Protesta u mbyll rreth orës 21:30 me thirrjen njëzëri të të gjithë protestuesve “Rama jep dorëheqjen” dhe “nesër më shumë”, duke i bërë thirrje sërish qytetarëve të bashkohen në të njëjtën orë dhe vend ditën e enjte, 4 qershor.


