Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëdorëzuar në polici, për të dhënë sqarime të plota lidhur me gjetjen e katër mijë bimëve narkotike në banesën e tij në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj.
Burime bëjnë me dije se Hasa ka hedhur poshtë pretendimet se droga i përket atij, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë.
Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet edhe pista që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në objekt mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në fshat.
Kujtojmë se policia njoftoi se droga u zbulua në bodrumin e një magazine në dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike, të mbyllura dhe me llambaa elektrike.
Nga hetimet paraprake rezultoi se ambienti është në pronësi të Bilal Hasës, i cili u shpall në kërkim nga policia bashkë me Ervis Maçin, me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.
Kujtojmë se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi zyrtarisht, duke bërë të ditur se është njohur me ngjarjen përmes mediave dhe ka marrë masa të menjëhershme.
Institucioni njofton se Hasa është pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave nga organet e drejtësisë, ndërsa thekson se distancohet nga çdo veprim i paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Peqin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kurtaj” për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me anë të llambave.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.
Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.
Shpallet në kërkim pronari i ambientit.
Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.
Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.
Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.
Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.


