Eksperti i kibernetikës dhe aktivisti Gent Progni denoncoi sot nga sheshi i mbushur me mijëra protestues para Kryeministrisë, se qeveria po kërcënon administratën për shkarkime nga puna pse marrin pjesë në protestë.
Teksa u ngjit në podiumin e protestës mbrëmjen e sotme, ai tha para qytetarëve se ata nuk do ndalen para kërcënimeve dhe bëri thirrje të qëndronin të bashkuar.
“Kam për të ndarë një lajm para jush. Administrata sot te OSHEE-ja u ka bërë presion punonjësve se ka marrë pjesë në protestë. Ju bëj thirrje të gjithëve, ejani mblidhuni këtu, ejani së bashku me ne”, u shpreh Progni.
Ndërsa një tjetër i ri u ngjit në podium për të bërë thirrje të gjithë baballarëve që t’i bashkoheshin rinisë dhe se zëri i tyre do shkonte deri në Surrel.
“Zëri jonë të shkojë në Surrel, Rama në burg dhe Berisha në burg, nuk kemi frikë, populli i gjithë në rrugë. Gjithë baballarëve tanë thirrje, na mbështesni edhe këtë herë”, tha ai.


