Përfaqësues të familjeve që preken nga projekti TID janë rikthyer paraditen e sotme përpara bashkisë së Durrësit, duke kërkuar takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, por që institucioni u ka mbyllur dyert.
Ndryshimi në projekt për restaurimin e objekteve të kultit (kisha katolike), që më parë ishin klasifikuar për prishje i ka detyruar banorët të kërkojnë informacion dhe transparencë, në lidhje me vijimësinë e tij.
Me një kërkesë të firmosur nga 20 familje i janë drejtuar autoritetit vendor, duke kërkuar transparencë dhe duke nënvizuar se do të vazhdojnë të kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.
Një projekt që mbivendoset mbi historinë, për t’u zëvendësuar me kulla deklarojnë banorët.
Përfaqësia e banorëve i është drejtuar Bashkisë së Durrësit për të kërkuar takim me kryebashkiaken, por edhe këtë herë kanë gjetur dyert e mbyllura.
“Është më e thjeshtë të takosh përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare se kryebashkiaken Sako”, deklarojnë banorët mes të tjerash të revoltuar, teksa theksojnë se “do të kundërshtojnë prishjet e banesave”.
Ndërkohë në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi deklaroi se TID është në proces dhe do të verifikohet çdo rast, si në lidhje me vlerën, ashtu edhe procedurën e ndjekur.


