Janë publikuar pamjet nga operacioni policor që çoi në arrestimin e babë e bir, Ylli dhe Pjerin Brahimaj, të cilët kishin ngritur një laborator të sofistikuar falsifikimi dokumentesh në një banesë në Tiranë.
Siç shihet në video, hyrja për në ambientin e fshehtë ku prodhoheshin pasaporta të huaja të falsifikuara ndodhej pas një dollapi rrobash, i modifikuar për të maskuar hyrjen drejt dhomës së pajisur me pajisje profesionale për prodhim dokumentesh identifikimi.
Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në kuadër të hetimit të koduar “Identiteti”, dhe u zhvillua pas 7 muaj hetimesh me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në pranga përfunduan:
– Ylli Brahimaj, 65 vjeç, aktualisht nën “arrest në shtëpi” me vendim të mëparshëm nga SPAK për të njëjtën veprimtari kriminale;
– Pjerin Brahimaj, 45 vjeç (djali i tij).
U procedua penalisht edhe shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në aktivitetin e falsifikimit.
Sipas hetimeve, çdo pasaportë falso u shitej klientëve për 15.000 deri në 20.000 euro, dhe përdorej për kalim të paligjshëm të kufirit, veçanërisht drejt vendeve të BE-së dhe SHBA-së.
Policia ka sekuestruar pajisje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara dhe prova të tjera materiale. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e klientëve dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet falsifikimi.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Identiteti”.
Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre.
Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Ylli Brahimaj, 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe Pjerin Brahimaj, 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave.
Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.