Është përkujtuar këtë të shtunë në qytetin e Vlorës 29-vjetori i Tragjedisë së Otrantos, një nga ngjarjet më të rënda në historinë e vendit.
Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit vendor e qendror, si dhe qytetarë të shumtë, u mblodhën për të nderuar kujtimin e 81 personave që humbën jetën në këtë tragjedi.
Me iniciativë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëkohësisht deputete e qarkut Vlorë, Erjona Ismaili, në bregdet u vendosën simbolikisht 81 karrige bosh, duke përfaqësuar jetët e ndërprera tragjikisht.
Në përfundim të ceremonisë, u hodhën lule në det, në nderim të të gjithë atyre që humbën jetën në përpjekje për një jetë më të mirë.
Në fjalën e saj, ministrja Ismaili theksoi se kjo është një plagë e hapur për qytetin e Vlorës, ndërsa nënvizoi rëndësinë e kujtesës kolektive.
“Unë kam qenë shumë e vogël atëherë, por besoj se për kjo tragjedi ka lënë një shenja që sado vite të kalojnë nuk mund të zbehet… Sot kemi 81 karrige bosh, një vend që nuk e mbush dot asgjë dhe askush. Kam një thirrje që kjo ngjarje të mos jetë një ceremoni e përvitshme, për një ceremoni ku çdo viktimë të përkujtohet.
Është një ngjarje që qyteti i dhemb, dhe mendoj se harresa dhemb më shumë se ngjarja që ka ndodhur. I jam mirënjohës familjarëve që më ndihmuan në realizimin e këtej përkujtimi dhe të bëhet çdo vit, jo vetëm në përvjetorë të mëdha, si ai i vitit të ardhshëm kur bëhen 30 vite”, tha ajo.
Ndërkohë, familjarët e viktimave, pas 29 vitesh, janë të lodhur nga padrejtësia. Ata kritikuan vendimin e gjykatës italiane që, sipas tyre, nuk mori parasysh provat e paraqitura.
“Kjo tragjedi është e krijuar me dashje. Që ka rënduar dhe çdo vit është rënduar edhe më shumë. Sot familjarët përballen me një dhunë psikologjike, janë lodhur. Vendimi i gjykatës italiane ka qenë i padrejtë, i ka goditur edhe njëherë. Gjyqi është mbyllur, por nuk mbyllet një krim njerëzor”, tha njëra prej familjarëve të viktimave.
“Ata për ne do të mbeten të paharruar. Varrezat i bëri shteti atëherë, tani i kanë lënë në harresë”, tha një tjetër familjare.
Tragjedia e Otrantos ndodhi më 28 mars 1997, kur një anije shqiptare me 142 persona në bord u përmbys në Ngushticën e Otrantos pas përplasjes me një mjet të forcave detare italiane.
Si pasojë, humbën jetën 81 persona, mes tyre fëmijë. Viktimat ishin emigrantë që po largoheshin nga Shqipëria, në një kohë trazirash të thella në vend, me shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë në Itali.


