Banorët e Rrjollit në Shkodër kanë dalë sërish në protestë duke kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti, që sipas tyre po ndërtohet në pronat e tyre me dokumente të falsifikuara.
Ditën e sotme banorët janë përplasur me policinë, ndërsa ata thonë se pronat e tyre do ti mbrojnë.
Një prej banoreve akuzoi se punonjës të kompanisë që kërkon të ndërtojë resortin vishin me uniforma shteti, duke kërkuar ndërhyrjen e ministres së Brendshme.
“Këta punëtorë që nuk janë punëtorë të shtetit dhe vijnë me uniforma shteti se paguhen nga Gener 2 e kanë personale me ne. Këtu duhet të përgjigjet ministrja e Brendshme, që lejon këta të Gener 2 të vijnë me uniforma shteti”, tha banorja.
Ndërsa një tjetër banor deklaroi se janë dhunuar nga uniformat blu.
“Vijnë na shtyjnë dhe na rrahin, këta duhet me i mbyt të gjithë sepse nuk ka shtet. Por këtu duhet ardhur me pushkë”, tha një banor i moshuar i Rrjollit.
Projekti “Blue Borgo”, që tashmë ka filluar punimet, konsiston në një resort turistik me 33 struktura akomodimi me nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë.
Ky resort është planifikuar të ndërtohet brenda një harku kohor prej 60 muajsh nga kompania Gener2, me statusin e investitorit strategjik në zonën Baks-Rrjoll, e cila dikur ishte pjesa zonave peizazheve të mbrojtura.
Banorët pretendojnë se biznesmeni Bashkim Ulaj, pronar i kompanisë Gener2, ka arritur të negociojë me një pronar fiktiv në mënyrë që të arrijë një marrëveshje të shpejtë dhe të marrë lejen e ndërtimit në këtë zonë, pavarësisht kundërshtimeve të vendasve.


