Fenomeni i fundosjes dhe zhvendosjes së tokës në segmentin rrugor Librazhd – Përrenjas, në zonën e njohur si Arrat e Dragostunjës, ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit.
Siç shihet edhe nga pamjet, rruga është shkatërruar plotësisht duke e kthyer segmentin jashtë funksionit. Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, matjet paraprake treguan se niveli i fundosjes në këtë segment ka arritur nga 5 deri në 9 centimetra.
Këto të dhëna tregojnë se procesi gjeodinamik është ende në zhvillim, çka rrit pasigurinë për stabilitetin e zonës dhe se segmenti vijon ende të jetë i rrezikshëm për kalim.
Kujtojmë se bllokimi i këtij segmenti ka nisur që prej ditës së shtunë, më datë 21 shkurt, bllokimi i cili po prodhon çdo ditë pasoja për qytetarët.
Duke qenë se barkullimi i të gjitha llojeve të automjeteve është thuajse i paralizuar, disa prej drejtuesve po zgjedhin të lëvizin përmes aksit rural që nis në dalje të qytetit të Librazhdit dhe përshkon itinerarin Spathar –Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht, për të vijuar drejt juglindjes dhe anasjelltas.
Por edhe kjo rrugë ka sjellë probleme, pasi nuk është projektuar për të përballuar fluks të lartë mjetesh, aq më pak për të zëvendësuar një aks kombëtar.


