Tri vite hetime për kultivimin e lëndëve narkotike në fshatrat e thella të Matit kanë përfunduar me arrestimin e 14 personave, shumica prej të cilëve me lidhje farefisnore.
Në këtë aktivitet të paligjshëm ishte përfshirë kryeplaku i fshatit, i cili me ligj është i detyruar të denoncojë parcelat me kanabis sativa.
OPERACIONI
Aksioni për arrestimin e personave të skeduar prej tri vitesh si kultivues dhe shitës të lëndëve narkotike ka përfunduar me arrestimin e 14 personave dhe shpalljen në kërkim të një shtetasi tjetër. Të gjithë të arrestuarit janë nga i njëjti fshat, Lami i Madh, Njësia Administrative Derjan, në rrethin e Matit. Përveç Policisë lokale dhe asaj të Dibrës, në operacion janë përfshirë edhe Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana. Organi i akuzës dhe Policia akuzojnë si organizatorin kryesor të kësaj veprimtarie kriminale Gëzim Kolecin, kryetar i fshatit Lami i Madh. Disa herë efektivët e Komisariatit të Matit janë ngjitur në fshatin e largët dhe kanë shkulur e djegur qindra rrënjë kanabis sativa, por pa mundur të kapin autorët e kultivimit të tyre. Për këtë arsye, hetimet kanë nisur që prej vitit 2019.
ARRESTIMET
Përveç kryeplakut të fshatit, Gëzim Koleci, 55 vjeç, në kuadër të operacionit “Kepi i Vojzave” kanë përfunduar në pranga edhe shtetasit Mat Koleci, 45 vjeç; Idajet Koleci, 43 vjeç; Albert Koleci, 40 vjeç; Vilson Koleci, 30 vjeç; Gestian Koleci, 26 vjeç; Lezan Koleci, 62 vjeç; Agim Koleci, 29 vjeç; si dhe Besmir Koleci, 36 vjeç; të gjithë me lidhje farefisnore midis tyre. Vlen të theksohet se shumica e të arrestuarve jetojnë në zona të ndryshme të Tiranës, si në Paskuqan, Kamzë dhe në Laprakë, ndërsa kultivonin lëndën narkotike në zonat malore apo bri lumenjve në fshatin e tyre. Sektori për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” të kryera në bashkëpunim, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municioneve”.
HETIMET
Në funksion të këtij procedimi të ndjekur me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Mat, është arritur të provohet me prova dhe fakte bashkëpunimi i këtyre shtetasve që funksiononin në formën e një grupi të mirorganizuar, në kryerjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotikëve në 5 episode, përgjatë periudhës kohore 2019–2021, ku këta shtetas në zonën malore Lam i Madh, kanë kultivuar në kohë dhe vende të ndryshme një sasi bimësh narkotike. Policia sqaroi se janë konstatuar edhe 3633 bimë në proces tharje.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se organizator i kësaj veprimtarie është shtetasi Gëzim Koleci, i cili ka mbajtur dhe detyrën e kryetarit të fshatit Lam i Madh, ku nëpërmjet personave të lartpërmendur, me të cilët ka lidhje familjare dhe fisnore, organizonte punën për kultivimin e lëndëve narkotike, përpunimin e saj dhe më pas gjetjen e tregut për shitje, të cilën e siguronte nëpërmjet djemve të tij, Vilson dhe Gestian Koleci, të identifikuar edhe si transportues të saj. Ndaj tyre, Gjykata e Krujës ka vendosur më parë masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, pasi më datë 22.03.2021 në aksin rrugor Fushë Krujë– Laç, iu është sekuestruar sasia prej 6.8 kg lëndë narkotike marijuanë. Gjithashtu, po në funksion të këtij procedimi është sekuestruar një armë zjarri automatik, një armë gjahu teke pa leje përkatëse dhe municion luftarak, si dhe janë sekuestruar 13 telefon a celularë që përdoreshin nga shtetasit e lartpërmendur. (panorama)



