Orë dore të rralla, çanta dore firmato, bizhuteri ari, valutë cash me vlerë totale që shkonte në të paktën një milion euro.
Këto janë zhdukur gjatë një grabitjeje të bujshme nga banda e ‘skifterëve’ shqiptarë në zonën luksoze dhe turistike të Mykonosit në Greqi disa ditë më parë.
Policia greke njoftoi sot se ka identifikuar grupin e dyshuar, i drejtuar nga një 49-vjeçar shqiptar dhe bashkëatdhetari i tij, të cilët kishin shënjestruar ishullin e të pasurve dhe vilat që do ‘godisnin’. Gjithashtu janë siguruar edhe pamje filmike nga plaçkitjet dhe autorët e dyshuar.
Operacioni i tyre filloi në fund të gushtit. Duke përdorur makina me qira, ata lëviznin diskret nëpër lagje me vila luksoze. Në orët e para të mëngjesit, kur të gjithë flinin, ata gjenin dyer ballkoni të pambyllura dhe hynin në heshtje.
Brenda pak minutash, ata rrëmbyen çdo send me vlerë që gjetën para tyre: bizhuteri, unaza, zinxhirë, byzylykë, kryqe, ora luksoze, çanta dore firmato, këpucë për meshkuj, rripa, portofola. Ata u larguan para se dikush të vinte re praninë e tyre.
Policia regjistroi shtatë vjedhje me vlerë të lartë dhe filloi një kërkim. Informacion, mbikëqyrje, deklarata. Pjesë pas pjese, enigma filloi të plotësohej, derisa 49-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua të hënën pasdite, pasi nuk kishte dokumente qëndrimi të ligjshëm në vend, ndërsa bashkëpunëtori i tij mbetet i lirë, informon “Protothema”.
“Thesaret” u gjetën në shtëpinë dhe në automjetin e tij ishin: 7 ora dore të shtrenjta, 9 çanta dore për femra me vlerë të madhe, shumë bizhuteri, dy palë këpucë për meshkuj, mjete speciale për vjedhje me thyerje, një telefon celular dhe 160 euro para në dorë. Një pjesë e mallrave të vjedhura tashmë u është kthyer pronarëve të tyre.
Një çështje penale u ngrit për veprat penale të vjedhjes së rëndë që tejkalon 190 mijë euro. Sipas policisë, grupi pasi ndiqte lëvizjet në zonë priste momentin kur në vila nuk kishte njeri dhe më pas hidheshin në sulm, kryesisht orët e para të mëngjesit.
Materialet e sekuestruara:
-7 orë dore
-Bizhuteri në gurë të çmuar, unaza, unaza martese, vathë, zinxhirë, varëse, kryqe, byzylykë
-9 çanta për gra me vlerë të madhe
-Një palë këpucë për meshkuj firmato, një rrip beli dhe një portofol,
kuti bizhuterish,
-Objekte të përshtatshme për kryerjen e vjedhjeve (llambë dore, doreza, dylbi),
-Telefon celular
-160 euro cash