Një atentat me armë zjarri tronditi Shkodrën mëngjesin e sotëm, ku në një lokal pranë shkollës “Kolë Idromeno”, u vranë dy persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Siç shihet edhe nga pamjet, të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spital, ndërsa në vendngjarje humbi jetën Armando Pali, punonjësit i IKMT-së.
Viktimë e dytë e këtij atentati mbeti 31-vjeçari Liridon Kraja (Lushi), i cili ndërroi jetë prej plagëve të marra në spital.
Ndërkohë, të plagosur mbetën Erogen Vaso (Brajoviq), vëllai i të arrestuarit Denis Brajoviç dhe kamerierja e lokalit, Meri Kaceri, të cilët po marrin ndihmë mjekësore.
Është vënë në pranga edhe autori i ngjarjes, shtetasi Ragip Gila, i cili tentoi të arratisej në zonën periferike të njohur si “shinat e trenit” në Shkodër, por u vu në pranga nga policia dhe iu sekuestrua edhe një armë zjarri automatike.
Njoftimi i policisë:
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.
Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Kush është Denis Brajoviç:
Denis Bajri (Brajoviçit ), i cili u arrestua në shkurt të 2024, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ai u ekstradua nga Dubai drejt vendit tonë më 23 Korrik 2025.
Ndaj Brajoviçit ishte lëshuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ku nga përgjimet e SKY, ai flet me mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Denis Brajoviç ka qenë subjekt i OFL-së, pasi u hetua për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, njofton Policia e Shtetit.