Gruaja ukrainase gjen siguri në Gaza pas shpërthimit të luftës në Ukrainë
Victoria Roger, 21-vjeçare, tha se qyteti i saj u kthye në rrënoja që nga fillimi i luftës ruse, duke e detyruar atë të zhvendosej me burrin e saj, Ibrahim Saidam, në Gaza
Gaza
Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka marrë vrull, një grua ukrainase nga qyteti Vinnytsia u arratis në Rripin e Gazës së bashku me burrin e saj palestinez në kërkim të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Victoria Roger, 21-vjeçare, tha se qyteti i saj u kthye në rrënoja që nga fillimi i luftës ruse, duke e detyruar atë të zhvendosej me burrin e saj, Ibrahim Saidam, në Gaza.
Çifti, të dy studentë universiteti, janë të martuar prej dy vitesh e gjysmë.
“Ne lamë miqtë dhe familjen tonë dhe nuk dimë asgjë për vendndodhjen e tyre”, tha Roger për AA.
Roger është e shqetësuar për sigurinë e saj në Gaza, duke e ditur se enklava e bllokuar është e prirë ndaj sulmeve izraelite. Megjithatë, ajo pranon se territori palestinez tani është më i sigurt se Ukraina.
“Burri im është palestinez nga Rripi i Gazës. Për shkak të bombardimeve ruse, ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të shpërnguleshim atje prej ku vjen burri im, që është Gaza”, tha ajo.
Derisa vendimi për t’u larguar nga vendi i saj ishte “pak i vështirë”, Roger, studente e vitit të katërt në farmaci, tha se ndjeu “një lloj lehtësimi” duke qenë në familjen e burrit të saj.
Ajo falënderoi gjithashtu banorët në lagjen e saj të re për “pritjen e tyre të ngrohtë” dhe shpreson që të dy popujt në Gaza dhe Ukrainë të jetojnë jetë të lumtur dhe të sigurt.
Burri i saj, Saidam, e përshkroi situatën në Vinnytsia si “të frikshme” dhe “shumë shkatërruese” të ngjashme me atë që ai përjetoi gjatë raundeve të ndryshme të sulmeve izraelite në Gaza.
Saidam, student i vitit të katërt i mjekësisë, dëshiron të kthehet me gruan e tij në Ukrainë sapo të përfundojë lufta për të vizituar familjen e gruas së tij dhe për të përfunduar studimet e tyre.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 902 civilë janë vrarë dhe rreth 1.459 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën e saj kundër fqinjit të saj perëndimor më 24 shkurt.
OKB-ja ka thënë se shifrat reale ka të ngjarë të jenë shumë më të larta pasi kushtet në terren e bëjnë të vështirë verifikimin.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se mbi 3,38 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, ndërsa rreth 6,5 milionë vlerësohet të jenë të zhvendosur brenda vendit.