Fatkeqësisht, vendimi i Gjykatës së Lartë do të dilte shumë vonë pasi ishte prishur shtëpia e familjes Musaj. Për “Vetting”, Mjaftime Musaj tregon se iu drejtuan prokurorisë dhe në vendin ku kishin banesën filloi të ndërtohej një karburant. Por prokurori i çështjes do të zgjaste për shumë vite hetimet dhe para se të lidhte marrëveshjen me Musain, ata kishin zbuluar se Robert Ilia e kishte shitur pjesën e tokës ku ata kishin shtëpitë.
Prokuroria kishte kapur shumë shkelje të ndryshme, por çështjet vazhduan nga gjykata në shkallë të parë, në shkallë të dytë në shkallë të lartë, u kthye përsëri në shkallë të parë dhe Ilia u dënua me 5 vite burg në dëm të banorëve për mashtrim dhe çështja është në shkallën e apelit.
Skënder dhe Mjaftime Musaj ashtu si banorët në këtë lagje kanë paditur veç e veç Robert Ilian dhe trashëgimtarët, Bashkinë Vlorë., Z.V.R.P.P Vlorë për dëmshpërblim.
Sipas informacioneve në dosjen e Gjykatës rezulton se Robert Ilia së bashku me trashëgimtarët, truallin ku gjendeshin këto ndërtime i kanë shitur nëpërmjet një kontratë kompanisë “OLSI” sh.p.k e realizuar në 1.11.2012, një vit para kontratës midis palëve Musai dhe Ilia.
Bie në sy fakti se gjykatësja Elona Mihali vëren se në dosje nuk gjenden dokumentet e pronësisë për ndërtesën 82.8 metra katrorë, madje duke cituar edhe Gjykatën e Lartë dhe të Apelit Vlorë. Por në fakt, si Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Shkallës së parë Vlorë kanë evidentuar se Musait janë pronarë të ndërtesës me vendim gjyq fakti.
Ekspertët e marrë nga gjykata për vlerësimin psikologjik kanë konstatuar pasoja nga shembja e shtëpisë, për të cilat duhet t’u paguhen 5.5 milionë lekë Skënder dhe Mjaftime Musait.
Në shkresat e gjykatës konstatohet se leja e ndërtimit nga shoqëri ILIRIA DC i është transferuar Briliant sh.p.k në pronësi të Nadire Qinamit, që e ka marrë lejen nr.1, datë 11.05.2018 me afat deri në 2022.
Gjykata e ka konstatuar si akt privat marrëveshjen midis palëve, e cila më pas është regjistruar te noteri pasi nuk ka qenë e noterizuar dhe nuk ka qenë firma ndërtuese në të. Por, Mjaftimja deklaron se marrëveshja është realizuar te noteri në 16 dhjetor 2013.
Në vendim, Gjykata ka refuzuar kërkesën e paditësve për mashtrim nga Ilia dhe kërkesën për dëmshpërblim e ka veçuar, duke futur bashkinë, Aluiznin, Z.V.R.P.P Vlorë dhe duke ia deleguar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.
Madje vendimi i Gjykatës Mihali është apeluar në Gjykatën e Apelit Vlorë, e cila në 23 dhjetor 2020 ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm për ndarjen e çështjes në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Tashmë cështja është në Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2018, ku Musaj pret vendimin për të marrë atë që i takon.
Në qoftë se Mjaftime dhe Skënder Musai nuk ishin pronarë të ndërtesës, përse duhet të vinte pronari i truallit të lidhte marrëveshje me ata për ndërtimin e pallateve? Sepse ligji për legalizimet ia kërkonte dhe vetëm në këtë mënyrë pasi tu kishin garantuar strehimi dhe premtimin për apartamentin, vetëm në këtë mënyrë Bashkia Vlorë do tu hapte dritën jeshile për ndërtim.
Gjykatat demaskojnë njëri-tjetrin
Nga nxjerrja në rrugë e banorëve të pastrehë në lagjen “Pavarësia” Vlorë ka patur vendime të ndryshme nga Gjykata e Vlorës. Një tjetër vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë e ka shpallur si përgjegjës Robert Ilian për një nga rastet e banorëve në këtë lagje, banorë të cilëve u është njohur e drejta për dëmshpërblim. Këta të fundit kanë patur një tjetër trupë gjykuese, e cila ka nxjerrë në pah shkeljet nga ish Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Në janar 2018, familja Dine do të padiste në gjykatën e shkallës së parë Vlorë Robert Ilian dhe trashëgimtarët, ish Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Bashkinë Vlorë për shpërblim dëmi pasuror.
Ky çift të moshuarish, banonte në të njëjtën lagje që banonin Skënder dhe Mjaftime Musaj, duke u prekur nga Plani i Përgjithshëm i Zhvillimit. Në këtë rast, edhe kjo familje si Musajt lidhën kontratë noteriale me Robert Ilia, por një vit më parë në 27 tetor 2012 për marrjen e apartamenteve dhe qirasë së shtëpisë në këmbim të banesës që kanë patur.
Familja Dine pretendonte se ishte mashtruar nga Robert Ilia dhe për shkak të kësaj, cifti i të moshuarve humbën banesën dy katëshe me sipërfaqe 337 metra katrorë, e cila ishte në proces legalizimi prej vitit 2005.
Ata nuk morën pagesën e qirasë nga Ilia dhe prej disa vitesh ishin të pastrehë.
Ashtu si Avokatura e Shtetit, në të dyja vendimet e Gjykatave për familjen Dine konstatohet se vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është regjistruar brenda ditës nga ish Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë. Madje sipas shkresës datës 07.03.2017 të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ky vendim nuk ndodhet në dosje.
Teksa të tjera familjeve u është njohur shpronësimi, Musait janë në pritje të dy gjyqeve, një me Inspektoriatin e Ndërtimit Vlorë dhe Bashkinë Vlorë dhe tjetrin me Kadastrën Vlorë për dëmshpërblim dëmi me relatore Gjykatësen Selvie Gjoncaj.
Sipas avokatit Çollaku, çështja e familjes Musaj ka disa pikëpyetje që lidhen me Bashkinë Vlorë.
“Ndërtimin e kësaj godinë në vitin 1986, si e ka dhënë për prishje Bashkia Vlorë? Kjo është një pyetje që do përgjigje, ndërkohë që bashkia heq përgjegjësinë nga vetja. Në fakt, nashkia ka dhënë leje në 1986, pavarësisht nëse është e regjistruar apo jo”, deklaron avokati Çollaku.
Në marrëveshjen noteriale me Robert Ilia është theksuar se ky i fundit ka lejen e ndërtimit, por nga dosjet e gjykatave që kanë trajtuar rastet në lagjen “Pavarësia” rezulton se mungonin dokumentet për zbardhjen e lejes së ndërtimit. Madje është ndryshuar destinacioni i lejes së ndërtimit pasi aty është bërë karburant. Atje ku sot janë bërë pallatet, disa apartamente kanë ngelur pa certifikatë pronësie dhe kompania e ndërtimit duhet të lidhë marrëveshje me Mjaftime Musain për t’i zhbllokuar.
“Nga njoftimet që mora nga ndërtuesit e ish ZRPP-ja qendrore, e urdhëron ndërtuesin që të lidhë aktmarrëveshjen me ne dhe pastaj t’i certifikohet pallati sepse dhe ne jemi pjesë e pronarëve në atë sipërfaqe që kisha që është bërë ndërtimi pallat”, shprehet Mjaftimja për apartamentet e bllokuara.
Në fakt, nga analiza e fakteve dhe vendimeve të institucioneve vendore ka indicie se Bashkia dhe ish-Zyra e Regjistrimit Vlorë mund të jenë të përfshira drejtpërdrejt në këto shkelje.
Familja Musaj kërkon drejtësi, por tashmë fjalën e fundit e ka drejtësia e reformuar, e cila është e vetmja shpresë që në këtë rrëmujë administrative dhe ligjore të marrë shtëpinë dhe dëmshpërblimin nga shteti shqiptar.
Gjithsesi nyja gordiane ngelet vendimi nga Elvis Çefa, vendim që ka sjellë pasoja të cilat Prokuroria dhe gjykatat që ky i fundit i ka monitoruar si nënkryetar i ish- Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nuk kanë qenë të afta të zbulojnë të vërtetën.