EMISIONI VETTING
Zona e Borshit në Himarë është një nga brigjet më të lakmuara në jug të rivierës shqiptare sepse ka vijën e gjatë bregdetare dhe është larg presionit të betonit dhe ndërtimeve. Deri në vitin 2016, Borshi ka qenë pjesë e komunës Lukovë të rrethit Sarandë, ndërkohë që tashmë prej gati një dekade i ka kaluar Bashkisë Himarë.
Afërsia me detin e kristaltë dhe bregdeti i virgjër janë një mundësi e artë për investim, në një tokë siç ishte ish-Shtëpia e Pushimit të Fëmijës Borsh, cila dihet që është truall, por pasojat që është trajtuar si tokë bujqësore kanë ngelur pa u rregulluar në dëm të ish pronarëve.
Do të ishte kjo mënyra se si Tajar Lala do të merrte tokën aty, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh se pse kjo çështje nuk është zgjidhur kurrë. Sipas ish-pronares Diana Bilali ngelet mister se si janë marrë këto prona nga persona që nuk plotësonin kriteret për ti privatizuar.
“Objekti ishte objekt shtetëror, pra ky nuk figuronte me AMTP, ky nuk figuronte me dokumente pronësie sepse është përfitues nga reforma, atëherë si u gjend objekti në emrin e Tajar Balil Lalës?
Objekti ishte objekt i këtij ansambli që ndodhet brenda truallit të Shtëpisë së Fëmijës dhe kanë qenë 9, biles për saktësi i bie të kenë qenë 12 objekte, nja 2-3 prej tyre nuk dihet çfarë funksioni kanë pasur. Këtu janë të pasqyruara. Unë ndoshta po të kem mundësi ta tregoj në kamera, për të cilën më kanë “torturuar” me vite për ato 700 metra katrorë, e di çfarë ka përpara, që më thoshin është tokë bujqësore? Ka dy objekte, dy troje, që janë më të vogla nga objekti që është 140 metra katrorë.
Atëherë unë kërkoj të di, ç’ne Tajar Balil Lala këto 600 metra katrorë? Dhe ndërkohë unë bëj një kërkesë në vitin 2011, duke e parë që kjo situatë ishte shumë e vështire për t’u zbërthyer, bëj një kërkesë jo vetëm për Tajar Lalën, por edhe për dy personat e tjerë që kanë marrë tokë me AMTP nga KNT Borsh, që quhen Gazmor Ferit Hizmo dhe Ramadan Mahmut Lala”, tregon Bilali.
Diana Bilali do të merrte 700 metra katrorë, nëpërmjet privatizimit, por nuk do t’i jepej e drejta për parablerjen e të gjithë ish-Shtëpisë së Pushimeve të Fëmijës Borsh, e cila rezultonte si pronë e familjes së saj.
“Ikën Genc Ruli dhe vjen Dritan Prifti, i kalon materiali Dritan Priftit. Dritan Prifti bën një shkresë në të cilën thuhet, që pronarët e truallit, pa u cilësuar ne si emër, domethënë si familje, pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes. Prifti, ka bërë një vendim të tillë, i cili nuk mund të rrëzohet sepse ai ka pranuar që është e gjitha truall.
Pra, në momentin kur ai ka marrë shkresën nga Z.R.R.P-ja ai ka kuptuar që këtu ka të bëjë me një truall dhe nga i gjithë konfigurimi, nga e gjithë planimetria dhe nga mënyra se si është ndërtuar e gjitha, është e vërtetë që është truall”, shprehet me bindje ish pronarja Bilali. Pra, sic e shpjegon ish-gazetarja tashmë në pension, në letra dhe kudo është specifikuar që zona është truall dhe jo tokë e një natyre tjetër. Por këtu qëndron dhe marifeti sepse nëse rezultonte si tokë bujqësore, mund të kalohej me AMTP të vlefshme.
Por gjërat do të komplikoheshin pasi gjatë kësaj kohe sipas Bilalit, ajo do të përballej me një tentativë për vrasje nga një person me mbiemër Abazi.
“Në 2010 ikën Dritan Prifti, vjen për pak kohë Ilir Meta mos gaboj dhe vjen Nasip Naço. Në atë kohë unë kam bërë një kërkesë, domethënë gjërat ndodhën shumë shpejt, patëm një ngjarje jo të mirë unë dhe vajza, 3 herë një person tentoi të na bënte një aksident me makinë. Hera e tretë ishte shumë e shprehur dhe ne kemi shpëtuar, do thonë për mrekulli të zotit siç thonë njerëzit. Dhe në atë kohë unë kërkova të di kush ishte personi, kush ishte targa dhe më del një person me mbiemrin Abazi, se të gjitha këto janë gjëra që kanë ardhur me radhë”, tregon e shqetësuar Diana Bilali.
Ish-pronarja Bilali tregon se pas kësaj ngjarje, ajo do të vazhdonte me procesin e privatizimit pavarësisht se i ishte rrezikuar jeta. Por asaj do ti dilnin pengesa të shumta dhe kësaj radhe nga ish-Ministria e Energjetikes, Tregtisë dhe Ekonomisë, si edhe nga ish-Zyra e Regjistrimit të Pasurive Sarandë.
”U bë një shkresë të cilën, Nasip Naco e quajti saktësim të privatizimit. Domethënë nëse unë kisha kërkuar të gjithë privatizimin e të gjithë objekteve sepse e njihja si truallin tim atë, ai tha ( i referohet Nasip Nacos): “Përderisa nuk kemi një vendim të kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të AKP-së”
Por ka një gjë, unë kisha kërkesën në AKP dhe kur ke kërkesën në AKP, problemi quhet i hapur. Pra, ç’mund të bënte Nasip Naco në atë kohë mendoj unë? Sepse Nasip Naco ka qenë një burrë i aftë në fushën e ligjit, nuk ka qenë një njeri i radhës. Ai mund të bënte këtë, kur unë i kam shkruar dhe i kam thënë, mund të bënte kërkesën në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.”
Dokumentet zyrtare të nxjerra nga institucionet publike në lidhje me pronat e ish-pronares Diana Bilali zbulojnë të verteta tronditëse. Njerëz që nuk jetojnë më bëjnë kërkesa, ndërkohë që ish Komuna Lukovë, ku Borshi ka qenë pjesë ka pranuar kërkesën dhe ka realizuar një genplan të falsifikuar. Sipas dokumenteve, kërkesën e ka bërë nëna e Diana Bilalit pas komunizmit, ndërkohë që e ndjera ishte ndarë nga jetë në vitin 1987.
”Nëna ime nuk ka qenë gjallë në atë kohë. Nëna ime ka vdekur shumë kohë më përpara në vitin 1987 dhe këtu jemi në vitin 1996 ( i referohet genplanit që ka në dorë Diana) është dhënë vendimi i Komisionit dhe ky është genplani shoqërues, por jo genplani im. Nuk e kam kërkuar unë dhe nuk kam marrë pjesë në bërjen e tij dhe kur e kam parë, kam qenë e detyruar ta pranojë sepse ka qenë institucion përfaqësues. Domethënë komuna Lukovë ishte mbajtësja e hartave në sektorin e urbanistikës dhe e tokave bujqësore dhe kam qenë e detyruar ta dërgojë në organe ligjzbatuese edhe në Gjykata”, tha Bilali duke ju referuar dokumentit të ish komunës Lukovë.
Sipas avokatit Ramaj, dokumente të tilla nuk mund të merren për kryerjen e këtyre veprimeve. “Në momentin që ky person ka ndërruar jetë dhe është firmosur në emër të tijin, një dokument shumë vite pasi ai ka ndërruar jetë, normalisht efektet e atij dokumentacioni ose i atij dokumenti konkret, Genplani janë nul. Normalisht duhet të ishte bërë një akt ekspertimi për të provuar ose për të parë një hetim më të saktë nga ana e prokurorisë, për të kontrolluar se kush e ka prodhur atë dokument dhe kush ka përfituar nga prodhimi i këtij dokumenti, pasi nuk mundet që një person i cili ka ndërruar jetë shumë më herët, të lëshojë dokumenta pas këtij fakti, dokumenti juridik”, u shpreh avokati Ramaj.


