EMISIONI VETTING
Problemet me statusin e tokave në Borsh, apo në të gjithë bregdetin e jugut, evidentohen edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i shkurtit 2009.
Ky raport zbardh një skemë të gjerë shkeljesh ligjore lidhur me ndarjen e tokave në Komunën Lukovë, konkretisht në fshatrat Borsh, Piqeras dhe Shën Vasil gjatë viteve 2006–2007. Sipas auditit, procesi i kalimit të pronësisë nga ish-kooperativat te familjet private u shoqërua me manipulime të rënda, ku vetëm në fshatin Borsh u konstatuan mbi 443 mijë metra katrorë tokë të dhëna në kundërshtim me ligjin.
Diana Bilali do të tregonte se në çështjen e saj është i përfshirë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse kjo zonë është trajtuar në mënyrë të gabuar nga institucionet publike, të cilat janë audituar nga KLSH-ja.
“Në fakt, ka disa procese gjyqësore që lidhen me këtë tokë. Janë disa çështje në gjykatë për të njëjtën pronë dhe kjo tregon qartë që problemi nuk është zgjidhur. Unë do të vazhdoj ta ndjek këtë çështje deri në fund, sepse është e drejta ime”, shprehet Bilali.
Nga auditi dalin detaje të reja për pronat në Borsh. Shkeljet përfshijnë fryrjen artificiale të numrit të anëtarëve për familje, llogaritjen e gabuar të normës për frymë, përfshirjen e trojeve brenda vijës së verdhë dhe dhënien e tokës për persona që nuk kishin asnjë të drejtë përfitimi.
Për këto parregullsi, KLSH-ja bëri përgjegjës zyrtarët e kadastrës së Sarandës dhe komisionet lokale që firmosën dokumentet. Një rast konkret i përmendur në raport është ai i familjes së Tajar Balil Lalës, e cila u regjistrua me 5 frymë dhe përfitoi 10,500 metra katrorë tokë, duke tejkaluar me të paktën 500 metra katrorë normën ligjore të lejuar për atë zonë.
Çështja mbetet ende në proces gjyqësor dhe pritet që Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë të japë një vendim përfundimtar mbi konfliktin e pronësisë.


