Më 24 prill 2026, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara pranë Tatimpaguesve të Mëdhenj bllokoi llogaritë bankare të kompanisë “Birra Korça” pa asnjë njoftim paraprak, ndërkohë që çështja ishte ende në proces ankimimi gjyqësor.
Në këtë proces administrativ arbitrar dalin në dritë dy emra: Brunilda Llaci, drejtoreshë e kësaj drejtorie, dhe inspektori Ermal Zhegaj.
Investigimi i “Vetting” zbulon fakte shqetësuese për profilin e këtyre funksionarëve.
Ermal Zhegaj, ndërkohë që mban detyrën delikate të inspektorit të tatimeve dhe ka akses në të dhënat financiare të bizneseve, rezulton aktiv edhe në tregun privat imobiliar si agjent i lidhur me “Century 21 Albania”.
Kjo veprimtari paralele private përbën një situatë të pastër konflikti interesi, në kundërshtim me ligjin nr. 9367/2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave”.
Ky rrjet emërimesh të paqarta ka edhe një kosto të madhe financiare që rëndon mbi taksapaguesit. Sipas raporteve zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), vetëm gjatë vitit 2022 janë paguar 77.6 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë për ish-punonjës të larguar padrejtësisht nga puna. Në raportin e shtatorit 2024, kjo faturë ka arritur në 216.5 milionë lekë të likuiduara, të shoqëruara edhe me 5.9 milionë lekë tarifa përmbarimore.
Sipas avokatit Laska: “Ne paguajmë taksa për të mbajtur shtetin, ndërkohë që shteti i keqpërdor ato, duke paguar dy apo tre herë të njëjtët punonjës, të cilët nuk japin shërbimin për të cilin duhet të paguheshin. Kjo është përgjegjësi direkte e institucioneve përkatëse dhe e partisë politike që drejton qeverinë, Partisë Socialiste, e cila në përgjithësi merr patronazhistë dhe i përdor në këto institucione.”
Shteti paguan dy paga për të njëjtin pozicion, ndërsa zyrtarët përgjegjës fshihen pas postit. KLSH rekomandoi masa disiplinore, nga vërejtja deri te largimi nga puna për përgjegjësit, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka refuzuar të zbatojë qoftë edhe një masë të vetme.
Në këtë hapësirë mes asaj që shkruhet në ligj dhe asaj që ndodh në praktikë qëndron thelbi i këtij hetimi. Kur shërbimi civil cenohet nga brenda përmes emërimeve të dyshimta të kohës së Ceno Klosit apo Ilir Binajt, administrata tatimore humbet neutralitetin dhe kthehet në një instrument presioni ndaj sipërmarrjes shqiptare.
Sipas avokatit Elton Laska, administrata publike duhet të jetë e depolitizuar dhe të mos përdoren metoda që shmangin procedurat ligjore. Më tej, ai shton: “Nuk ka nevojë t’i shkosh biznesit në zyrë apo në ambientet e punës, sepse të gjitha detyrimet pasqyrohen online dhe administrata mund të kontrollojë çdo deklarim nga zyrat e shtetit. E dinë se çfarë xhiroje ka biznesi dhe cilat janë detyrimet e papaguara. Nuk ka arsye që t’i ushtrohet presion fizikisht biznesit. Biznesi nuk duhet ta njohë fare agjentin e tatim-taksave. Ai duhet të jetë një funksionar që kontrollon në sfond xhiron fiskale dhe shlyerjen e detyrimeve. E vetmja arsye pse shkohet te biznesi është për të vendosur gjoba dhe për të krijuar frikë ndaj Drejtorisë së Tatim-Taksave dhe, përmes saj, ndaj pushtetit.”
PASURITE E DYSHIMTA
“Vetting” ka ekspozuar resorte në bregdet, kompani të fshehura dhe pasuri të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ish-drejtues dhe drejtues aktualë të Administratës Tatimore, për të cilët ende nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria e Tiranës apo SPAK.
Më 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë u emërua në mënyrë të komanduar Erilinda Lala. Dokumentet e siguruara nga “Vetting” dhe korrespondenca me institucionet publike krijojnë indicie se drejtoresha Lala është përfshirë në një sërë shkeljesh të rënda, përfshirë fshehjen e pasurisë së bashku me bashkëshortin e saj, Taulant Godroli.
Dokumentet publike tregojnë indicie të forta për lidhje mes Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, bashkëshortit të saj Taulant Godroli dhe kompanisë “Alko-Impex General Construction”, me administrator Arbër Abazin. Këto lidhje ngrenë dyshime për mënyrën se si kompania ka përfituar kontrata publike me vlera prej dhjetëra milionë eurosh.
Denoncimi i parë publik është bërë në maj 2016 nga Partia Demokratike, përmes ish-deputetes Grida Duma, e cila ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të Komisionit të Prokurimeve Publike dhe lidhjet e mundshme me kompani private.
“Kemi sot pyetje të rëndësishme që kërkojnë përgjigje. A është sot njëri prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut funksionar i lartë i KPP-së? A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut me një funksionare të lartë të Komisionit të Prokurimeve Publike?”, deklaronte ish-deputetja e PD-së, Grida Duma.
Do të kalonte pothuajse një dekadë nga ky denoncim publik derisa dosja e kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” (ish “KLEDOR ALBANIA-09”), së bashku me Arbër Abazin, të vihej nën hetim nga SPAK. Kompania dyshohet se ka përfituar dhjetëra miliona euro fonde publike në mënyrë të paracaktuar nga ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit ndodhet nën mburojën e mazhorancës socialiste, e cila i mohoi SPAK-ut kërkesën për arrestimin e saj, duke kundërshtuar për herë të parë një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Toka për resortin u dha pa garë dhe në kundërshtim me ligjin, me pronarë të dyshuar Lala-Godroli
Në Shqipëri, ligji për ndërtimin është i qartë: asnjë tullë nuk mund të vendoset mbi një truall pa u përcaktuar më parë pronësia dhe pa miratimin e pronarit. Kur bëhet fjalë për pronë publike të një bashkie, ky miratim jepet vetëm përmes votës së Këshillit Bashkiak, i cili është organi i vetëm me të drejtë ligjore për të vendosur nëse prona mund të jepet në shfrytëzim.
Fakti që Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar një leje ndërtimi për kompaninë private “2D Construction 2025”, me pronare Marsida Dedej dhe ish-aksionere drejtoreshën e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, përpara se të zhvillohej votimi në Bashkinë Kavajë, përbën një skandal të rëndë institucional.
Sistemi elektronik i lejeve (e-Albania) është ndërtuar në mënyrë që të mos lejojë vijimin e procedurës pa u ngarkuar certifikata e pronësisë ose kontrata e shfrytëzimit. Për këtë arsye, lindin dyshime se procedura në sistem mund të jetë anashkaluar, pasi projekti ka avancuar pa dokumentin bazë të pronësisë, duke injoruar mungesën e aktit që legjitimon kompaninë private.
Ky nuk është thjesht një anashkalim i bashkisë, por një cenim i rëndë i autonomisë vendore nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Praktikisht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, e drejtuar nga Adelajda Roka, ka kaluar në KKT një projekt që nuk kishte certifikatën e pronësisë.
Pas këtij projekti, i cili është firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit në kundërshtim me ligjin për kompaninë “2D Construction 2025”, ish “Gea Construction”, dyshohet se fshihen drejtoresha e Tatimeve, Erilinda Lala, dhe bashkëshorti i saj, Taulant Godroli.
Sipas avokatit Ramaj, nuk mund të jepet leje ndërtimi pa u përcaktuar më parë pronari juridik i pronës që do të zhvillohet.
“Çdo veprim i kryer pa miratimin e pronarit të ligjshëm nga institucione të tjera është në kundërshtim me ligjin. Ky veprim sjell pavlefshmëri të të gjitha akteve të mëpasshme, pasi mungon baza ligjore”, u shpreh avokati Ramaj.
Leja e ndërtimit është dhënë nga KKT-ja përpara se të rregullohej marrëdhënia juridike mbi tokën. Të gjitha procedurat, përfshirë projektvendimin dhe vendimin e Këshillit Bashkiak, janë kryer nga Bashkia Kavajë vetëm pasi është dhënë leja e ndërtimit. Konkretisht, bashkia i ka përfunduar këto procedura më 20 tetor 2025, ndërsa leja e ndërtimit është miratuar më 23 korrik 2025.
Në këtë pikë lindin disa pyetje:
Për çfarë projekti i dha lejen Këshilli Kombëtar i Territorit kompanisë private kur ende nuk ishte përcaktuar prona ku do të ndërtohej? Si e paraqiti kërkesën për këtë projekt kompania “2D Construction 2025”, përmes Marsida Dedej, kur nuk dispononte ende tokën ku do të zhvillohej projekti? Dhe si kishte dijeni kompania se do të merrte leje nga KKT-ja dhe më pas nga Bashkia Kavajë për këtë sipërfaqe?
Përgjigje për këto pyetje mund të japë vetëm SPAK-u, pasi kemi të bëjmë me një listë të gjatë zyrtarësh të lartë që dyshohet se mund të kenë shpërdoruar detyrën për t’i hapur rrugë një resorti që, për shkak të lartësisë, bie edhe në kundërshtim me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë.
Një tjetër proces problematik, për të cilin mungon transparenca, lidhet me mënyrën se si kjo pronë publike është dhënë për zhvillim nga bashkia. Nga dokumentet rezulton se nuk është zhvilluar asnjë proces konkurrimi për shfrytëzimin e pronës publike dhe nuk sqarohet qartë statusi juridik i kësaj pasurie.
Këto elemente ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është dhënë toka publike për këtë projekt.
Planet për ndërtimin e resortit janë vënë në pikëpyetje edhe nga kërkimet e redaksisë, pasi sipas Bashkisë Kavajë kompania nuk ka paguar taksën e ndërtimit, e cila përllogaritet rreth 1 milion euro.
“Vetting” ka siguruar kontratën e firmosur mes Bashkisë Kavajë dhe kompanisë private dhe ka evidentuar se projekti turistik në zonën e Qerretit kushton shumë më tepër sesa përllogaritja fillestare.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi me godina banimi, shërbimi dhe hotelerie, me ndërtesa që arrijnë deri në 15 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nëntokësor. Në projekt janë parashikuar godina me lartësi 3, 8, 10, 12 dhe deri në 15 kate, të cilat do të formojnë një kompleks turistik me funksione banimi, hotelerie dhe shërbimesh.
Bazuar në përmasat e projektit dhe në koston mesatare të ndërtimeve turistike në bregdet, kompleksi mund të ketë një vlerë minimale investimi prej rreth 20 milionë eurosh. Kjo mbetet një përllogaritje minimale, pasi vlera reale mund të jetë shumë më e lartë.
Një tjetër element i rëndësishëm që del nga kontrata dhe dokumentet zyrtare lidhet me praninë e një kanali kullues në zonën ku parashikohet projekti. Sipas dokumentacionit, bashkia është në dijeni të ekzistencës së këtij kanali dhe thekson se zhvillimi duhet të marrë parasysh praninë e tij. Kjo nënkupton se ndërtimet dhe infrastruktura nuk mund të prekin shtratin e kanalit dhe duhet të respektojnë një distancë sigurie. Në praktikë, kjo njihet si servitut, pra një hapësirë mbrojtëse që duhet të mbetet e pandërtuar për të garantuar funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemit kullues.
Megjithatë, nga mënyra si janë hartuar dokumentet, mbetet një paqartësi e rëndësishme. Kontrata mes bashkisë dhe kompanisë e përmend kanalin vetëm në mënyrë të përgjithshme, pa përcaktuar qartë mënyrën e menaxhimit të tij gjatë zhvillimit të projektit.
Nuk specifikohet nëse kanali do të mbetet në gjendjen aktuale, nëse do të zhvendoset apo nëse do të integrohet në projekt përmes ndërhyrjeve infrastrukturore. Çdo ndryshim i këtij lloji kërkon miratim nga institucionet përgjegjëse për sistemet e kullimit dhe menaxhimin e ujërave.
Të dy institucionet, si Agjencia e Zhvillimit të Territorit ashtu edhe Bashkia Kavajë, nuk kanë dhënë asnjë koment mbi këto dyshime, duke zgjedhur të heshtin përballë kërkesave për sqarim.
Emërimi në shkelje të ligjit – DAP-i shmang përgjegjësinë
Drejtoresha e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, ka ndjekur një trajektore paralele karriere me drejtuesin e saj politik dhe institucional, ministrin e Financave, Petrit Malaj. Fillimisht, Malaj u emërua drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ku më pas u punësua si juriste edhe Erilinda Lala.
Më pas, në shtator 2024, Malaj u emërua ministër i Financave dhe në këtë institucion mori sërish pranë vetes Lalën si këshilltare.
Më 18 shkurt 2026, me propozim të ministrit Malaj dhe me shkresë zyrtare drejtuar Departamentit të Administratës Publike (DAP), Erilinda Lala u propozua për postin e Drejtores së Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë. Pas verifikimeve të kryera, DAP vendosi më 19 shkurt 2026 emërimin e saj në këtë pozicion, pa procedurë konkurrimi, duke e konsideruar si emërim në nivel të mesëm drejtues.
Megjithatë, “Vetting” ka raportuar më herët, në dhjetor 2025, se Lala kishte ushtruar funksionin e drejtoreshës së komanduar që prej vitit 2025. Kjo ngre një problem, pasi ajo nuk mund të ishte e komanduar pa pasur më parë statusin e nëpunësit civil të përshtatshëm për këtë funksion.
Sipas avokatit Redi Ramaj, komandimi nuk mund të përdoret si mekanizëm afatgjatë, por vetëm në raste emergjente dhe për periudha të kufizuara.
“Në rastin e Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, duhet patjetër garë dhe transparencë, pasi bëhet fjalë për një nga drejtoritë më të rëndësishme në vend”, u shpreh ai.
Nga dokumentet rezulton se Erilinda Lala ka qenë këshilltare në Ministrinë e Financave nga 2 shtatori 2024 deri më 15 nëntor 2024, fakt i pasqyruar edhe në deklarimet e pasurisë. Pas kësaj periudhe, ajo nuk rezulton më në këtë pozicion.
Më pas, në maj 2025, ajo fillon të ushtrojë funksionin e drejtoreshës së komanduar në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.
DAP, në përgjigjen zyrtare, nuk trajton këtë fazë komandimi, por vetëm emërimin formal të shkurtit 2026, duke lënë një boshllëk në kronologjinë administrative të emërimit.
Ligji për nëpunësin civil parashikon që komandimi në një pozicion drejtues mund të bëhet vetëm për periudha të kufizuara dhe në kushte specifike, zakonisht kur pozicioni është vakant dhe deri në përfundimin e procedurës së rregullt të emërimit.
Por çdo komandim duhet të jetë i dokumentuar me akt administrativ të qartë dhe të verifikueshëm, gjë që në këtë rast nuk rezulton e plotë në përgjigjen e dhënë nga DAP.
Një tjetër problem lidhet me faktin se pozicioni i Drejtorit Rajonal Tatimor është pozicion i nivelit të mesëm drejtues dhe duhet të plotësohet nga persona me status nëpunësi civil.
Sipas të dhënave, Erilinda Lala ka kaluar fazën e dytë të provimit për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues vetëm në tetor 2025, pra disa muaj pasi kishte nisur të ushtronte funksionin si drejtoreshë e komanduar në maj 2025.
Kjo krijon një mospërputhje të qartë midis kronologjisë së ushtrimit të detyrës dhe përmbushjes së kritereve ligjore për emërim.
DAP, në interpretimin e tij, referohet në nenin 30 të ligjit për nëpunësin civil dhe VKM nr. 118/2014, duke argumentuar se lejohet caktimi i një anëtari të TND-së në një pozicion drejtues me kërkesë të ministrit.
Megjithatë, kjo dispozitë zbatohet vetëm në rastet kur personi është tashmë pjesë e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues. Në këtë rast, sipas dokumenteve, ushtrimi i detyrës ka filluar përpara përmbushjes së këtij statusi.
Në administratën publike, kjo është një pikë thelbësore, pasi çdo komandim përbën akt administrativ që duhet të jetë i qartë, i dokumentuar dhe i bazuar në ligj.
Një tjetër çështje lidhet me kohëzgjatjen e komandimit. Nëse ai ka nisur në maj 2025 dhe emërimi formal është bërë në shkurt 2026, rezulton një periudhë rreth 9-mujore në të cilën funksioni është ushtruar pa emërim përfundimtar.
Në kërkesën zyrtare, “Vetting” ka kërkuar dokumentacionin e plotë të procesit të emërimit dhe të gjitha fazat e tij, por DAP ka kthyer përgjigje vetëm për aktin përfundimtar të vitit 2026, duke mos sqaruar fazën paraprake të ushtrimit të detyrës.
Pas një ankese pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucioni është përgjigjur se nuk kishte dijeni për fazën e komandimit dhe do të kryente verifikime të mëtejshme, duke e zhvendosur përgjegjësinë te institucionet që kanë kryer emërimin.
Fshehja e pasurisë nga Lala-Godroli dhe hetimet ndaj ministrit Malaj
Pronat në bregdet kanë prodhuar disa nga konfliktet më të ashpra në historinë e shtetit shqiptar. Nga veriu në Shkodër e deri në jug në Sarandë, përplasjet mbi pronësinë shpesh kanë përfshirë banorët, por jo rrallë edhe institucionet shtetërore.
Një nga pronat që ka ngritur pikëpyetje, sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë “Vetting”, është edhe një hotel-restorant i lidhur me familjen Lala. Bashkëshorti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, Taulant Godroli, rezulton të ketë punuar si menaxher i padeklaruar, sipas formularëve të deklarimit të pasurisë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025.
Sipas këtyre të dhënave, së bashku me Drejtoreshën Lala, ata kanë mosdeklarime të ardhurash dhe pasurish të lidhura me interesa që, sipas indicieve, lidhen me një resort në zonën e Qerretit të Kavajës.
Po ashtu, Drejtoresha Lala nuk ka deklaruar NIPT-et apo emrat e bizneseve që kanë gjeneruar rreth 40 mijë euro të ardhura në disa muaj të vitit 2023. Pavarësisht këtyre indicieve, kryeinspektorja Evgjeni Bashari dhe Sekretari i Përgjithshëm Arbër Basholli nuk kanë dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesave të “Vetting” lidhur me masat e marra.
Nga ana tjetër, rezulton se Taulant Godroli nuk ka fshehur vetëm aktivitetin e punësimit, por edhe lidhje me kompani që më parë kanë qenë në pronësi të tij, si dhe me kompaninë “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” (ish “KLEDOR ALBANIA-09”), e cila aktualisht lidhet me Arbër Abazin.
Në vitin 2009, Godroli themeloi kompaninë “Electral sh.p.k.” si aksioner i vetëm. Më vonë ai u bë administrator i një shoqërie koncesionare, HEC Hotolisht, e cila në vitin 2015 fitoi kontratën për ndërtim, operim dhe transferim të hidrocentraleve të Hotolishtit, me vlerë investimi rreth 567 milionë lekë.
Problemi lidhet me faktin se Godroli nuk ka deklaruar në formularët e ILDKPKI-së se ka qenë administrator i kësaj kompanie koncesionare gjatë periudhës 2015–2017.
Gjithashtu, ai nuk ka deklaruar as transferimin e aksioneve të “Electral sh.p.k.”, të cilat nuk figurojnë në deklarimet fillestare të pasurisë si person i lidhur me Drejtoreshën Erilinda Lala.
Sipas avokatit Ramaj, personat që janë subjekt i ligjit për deklarimin e pasurisë në ILDKPKI kanë detyrimin të deklarojnë çdo të ardhur, pjesëmarrje apo transaksion me kompani private, përfshirë edhe transferimet e aksioneve.
“Ky rast përbën shkelje të ligjit dhe ILDKPKI duhet të nisë një inspektim për të verifikuar shkaqet e mosdeklarimit”, u shpreh avokati Ramaj.
“Vetting” kontaktoi Sekretarin e Përgjithshëm të ILDKPKI-së, Arbër Basholli, për këto indicie të reja mbi mosdeklarimin e pasurisë nga Godroli, por ai refuzoi të japë koment ose të sqarojë masat e mundshme.
Ndërkohë, i vetmi fakt i konfirmuar nga korrespondenca mes “Vetting” dhe ILDKPKI-së është se ky institucion ka nisur verifikime mbi të dhënat e pasurisë ndaj ministrit Petrit Malaj.
Mbetet e paqartë nëse ILDKPKI-ja e ka referuar rastin në Prokurori apo nëse ka marrë masa administrative, pasi institucioni ka argumentuar se detajet e mëtejshme përbëjnë informacion konfidencial.

