EMISIONI VETTING
SPAK ka identifikuar Gentian Sharrën, i dënuar më parë për trafik droge, autor i disa grabitjeve, përfshirë edhe grabitjen e Rinasit. Ka dyshime të arsyeshme se parat e vjedhura të bankës në Rinas janë miksuar me lekët e parave publike.
Sharra ka përdorur emrin e bashkëshortes për të hapur dhe shtrirë “fijzat” në disa kompani dhe rrjedhimisht fituar ankande publike duke krijuar dhe pastruar pasuri miliona euro. Teksa një pjesë e konsiderueshme afro 5 milion euro janë sekuestruar në vitin 2022 me kërkesë të prokurorisë.
Kush është Gentian Sharra
Nga të dhënat hetimore të SPAK, Gentian Sharra, 48 vjeç është i implikuar në trafik të lëndëve narkotike, krime kundër personit dhe krime ekonomike.
Ai është i përfshirë edhe në grabitjen e Rinasit më 9 prill të 2019. Nga hetimet rezultoi se furgoni i përdorur në grabitjen ne Rinas, është modifikuar nga vëllezërit Çala në servisin e Gentian Sharrës, në fshatin Katund i ri në Elbasan.
Gentian Sharra, personi që iu sekuestrua pasuria 5 milionë euro, ai rezulton të jetë mik me të shumëkërkuarin Talo Çela. Në dosjen hetimore te SPAK, theksohet se miqësia ishte mjaft e ngushtë mes tyre, saqë Gentian Sharra e kishte punësuar Talo Çelës në kompaninë e bashkëshortes së tij, Olta Sharra. Bëhet fjalë për punësim fiktiv. Zyrtarisht Çela rezultonte i punësuar si magazinier.
“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan me shkresën Nr 5041/1 datë 03.09.2020 informon se: Në ngarkim të shtetasit Gentian Mustafa Sharra ka të dhëna/informacione ku rezulton të jetë i implikuar në veprimtari kriminale në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike, krimet kundër personit dhe krimit ekonomik. Ky shtetas njihet si lidhje e grupit të grabitjes së eurove në ambientet e Aeroportit të Rinasit ku është marrë një sasi e konsiderueshme valute e huaj (euro). Sipas informacionit të mësipërm, furgoni i përdorur për këtë grabitje është modifikuar nga vëllezërit ÇALA tek servisi i këtij shtetasi Gentian Mustafa Sharra, i ndodhur në fshatin Katund i Ri, Elbasan.
Gjithashtu ky shtetas është lidhje shoqërore e ngushtë e shtetasit Talo Jonuz Çela (aktualisht në kërkim për këtë grabitje dhe i dyshuar për disa vrasje në Durrës dhe Elbasan). Sipas referimit lidhja është vërtetuar pasi për një periudhë kohore Talo Çela ka qenë i punësuar (fiktivisht) tek firma e bashkëshortes së tij Olta Sharra”, thuhet në dosje.
Sharrës iu sekuestrua sot 5 milionë euro pasuri, përfshirë vila, makina e toka. Ai u vu në pranga më 19 maj të këtij viti, pas një aksioni të zhvilluar nga RENEA pas rrëfimit të te penduarit te drejtësisë, Nuredin Dumani.
Pas këtyre ngjarjeve, Elgert Laskaj nis të marrë tendera publikë në vlera të mëdha. Një tender i dyshuar si korruptiv, me vlerë 1.5 milionë euro dhe me ofertë gati sa fondi limit e ka marrë në 30 qershor 2020, për furnizim me ushqime të Drejtorisë së Burgjeve.
Këtë tender Elgert Laskaj e ka marrë nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kur drejtohej nga Edlira Naqellari, e dënuar për korrupsion me tendera.
Tenderin e ka marrë pikërisht në bashkëpunim me gruan e Gentian Sharrës, i akuzuar nga SPAK për disa grabitje me armë me Talo Çelën, i hetuar në Itali për trafik droge dhe në Shqipëri për heqje të paligjshme të lirisë, plagosje e lehtë me dashje dhe korrupsion zgjedhor.
Një tjetër tender të dyshimtë, Elgert Laskaj e ka marrë nga Bashkia Kukës kur drejtohej nga Safet Gjici, aktualisht në arrest me burg. Dy tenderë të tjerë i ka marrë nga Bashkia Përmet me firmën e Alma Hoxhës ku dhe aktualisht janë duke ushqyer me “duart e tyre krimin”.