EMISIONI VETTING
Në Shqipëri, ekzistojnë aktualisht gjashtë qendra rezidenciale publike për të moshuar në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan. Këto institucione, të krijuara për të ofruar përkujdesje bazike, jetesë të sigurt dhe ndihmë shëndetësore, kanë vite që përballen me mungesë fondesh, mungesë stafesh të trajnuara dhe infrastrukturë të degraduar.
Azilet private për të moshuarit janë me kosto të lartë pagese mbi 50 mijë lekë të reja, vetëm pak persona mund ta përballojnë shpenzime të tilla. Pamundësia financiare, jetesa vetëm me një pension minimal i detyron ti drejtohen si zgjidhje azileve publike.
“Këtu jemi të gjithë ne që jemi në pragun e (shenjë d.m.th. vdekjes). Jemi të sëmurë fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht, dikush më shumë, dikush më pak, janë njerëz problematikë”, tregoi i moshuari në Azilin e Kavajës.
Çdo ditë në këto azile banorët përballen me kushte që nuk përputhen me asnjë standard europian të përkujdesit social.
Të ulur në stolat e oborreve, shumë prej tyre kalojnë orë të tëra në heshtje, pa aktivitete, pa shpresë. Me hapa të ngadaltë dhe zëra të lodhur, përpiqen të tregojnë shqetësimet e tyre. Nga pas, gjithmonë i ndjek frika se një fjalë e gabuar mund t’i kushtojë më pak përkujdesje nga stafi.
Ushqimet me cilësi të dobët
Në qendrat rezidenciale për të moshuarit nuk mungon kuzhina, por problem është ushqimi pa cilësi. Supa e hollë e cila ka më shumë ujë se sa oriz dhe makarona, gjellë me fasule që vështirë se i gjen kokrrat e fasules në pjatë. Qepë e domate për drekë nuk mjaftojnë, që të moshuarit të marrin kaloritë e mjaftueshme për të kryer lëvizjet e nevojshme.
Shpesh herë të moshuarit, me ato pak qindarka që iu mbeten dalin nga azilet dhe blejnë vetë ushqime në dyqanet më të afërta.
“Djathë, na bien një djathë shumë të keq me krip, nuk hahet”
“Marrin tek ai Mireli, qumështi është gjysmë për gjysmë me uji”. Edhe gjalpin që japin është margarinë, nuk është gjalpë”, tregoi i moshuari i azilit në Ali Demi.
Gati shumica e të moshuarve e kanë të pamundur të kujdesen për veten, të gatuajnë, të lajnë rrobat, të pastrojnë. Ata i kanë sytë e tyre tek personeli i azilit, i cili ofron shërbim sipas fondeve që ofrohen nga Shërbimi Social Shtetëror, Ministria e Shëndetësisë dhe Bashkitë.
“Si në azil jemi, azil është”
“Azili si azil është çfarë të të them”, tha një i moshuar i azilit të Fierit.
Shpesh herë për shkak të ushqimeve me cilësi të dobët, banorët e këtyre azileve sëmuren dhe përfundojnë në spitale dhe për shkak të frikës që mbizotëron në këto ambiente janë të detyruar të “kyçin” gojën.
“Ushqimin na e japin te keq, sesi e bëjnë nuk e di”- “Më vjen për të vjellë”
“Kam pirë ilaçe, kam qenë duke vdekur, më mori Fatosi më çoi tek spitali, mora ilaçe”, tregoi një tjetër banor i azilit të Kavajës.
Mungesa e Urgjencës në Urgjencë
Një nga problemet më të rënda të konstatuara është mungesa totale e mjeteve të transportit mjekësor. Në rast se një i moshuar sëmuret rëndë, institucionet nuk kanë ambulanca apo automjete për ta dërguar në spital. Në disa raste, punonjësit janë detyruar të thërrasin ndihmën e shpejtë nga qyteti ose të presin orë të tëra për një mjet transporti.
Kthimi në institucion pas rehabilitimit është një tjetër sfidë. Në shumë raste, të moshuarit janë detyruar të qëndrojnë më shumë se ç’duhet në spitale publike, për shkak se azili nuk mund t’i tërheqë me mjetet e veta, por vetëm kur i sjellë ambulanca. Ky fakt konfirmohet nga vetë të moshuarit në Tiranë, Fier, Poliçan dhe Kavajë.
Gazetari: Azili a ka vetë ambulancë?
I moshuari: Jo, nuk ka fare! Doktor nuk kemi, infermiere…
Gazetari: Po për dentist si ia bëni? Kemi apo nuk keni?
I moshuari: Jo, nuk kemi dentist..
Gazetari: Po kontrolle me dentist a ju bëjnë?
I moshuari: Jo, nuk na bëjnë kontrolle! Mua nuk më qëndrojnë protezat, i thash drejtoreshës. Më tha; Ka ngjitëse në farmaci, ngjiti me atë…
Asnjë Kontroll, Asnjë Parandalim dhe Kujdesi Shëndetësor i Pamjaftueshëm
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumica e institucioneve nuk ofrojnë vizita të rregullta mjekësore, nuk kanë mjekë të angazhuar me kontratë të plotë dhe mungojnë totalisht trajnimet mbi geriatrinë dhe gerontologjinë.
Geriatrina është specialiteti mjekësor i dedikuar për ofrimin e kujdesit me cilësi të lartë me fokus shërbimin ndaj pacientëve të moshuar. Në vendin tonë, edhe pse numri i të moshuarve po vjen gjithnjë e në rritje, personeli mjekësor nuk është i përgatitur për shërbime ndaj kësaj kategorie. Pas të 60-ve kostoja mjekësore e jetesës rritet shumë, sidomos te 70-80-vjeçarët, të cilët kanë nevojë për shërbim intensiv.
Ky problem rrit nevojat për më shumë mjekë dhe infermierë, sidomos për Geriartri. Rreth 40% e të moshuarve në Shqipëri vuajnë nga sëmundje kronike dhe jetojnë në varfëri, duke përkeqësuar sfidat e tyre shëndetësore. Nevoja për kujdes të vazhdueshëm po rritet me shpejtësi, por më shqetësues është fakti se ky problem nuk ka arritur ende në veshët e Ministrisë së Shëndetësisë. Duhet evidentuar se kjo e fundit nuk është se ka bërë shumë në këtë aspekt.
Sëmundjet më të shpeshta nga të cilat vuajnë të moshuarit janë diabeti, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës dhe problemet respiratorë.
Më keq akoma, vizitat dentare janë inekzistente. Higjiena orale, që është thelbësore për shëndetin e përgjithshëm, nuk promovohet, nuk monitorohet dhe nuk konsiderohet prioritet. Burime zyrtare pohojnë se qendrat rezidenciale për të moshuarit nuk disponojnë shërbim dentar për këtë kategori dhe ata duhet të shkojnë privatisht tek dentisti me shpenzimet e tyre.
Në dosjet e personelit mjekësor mungojnë kontratat, certifikatat e trajnimeve dhe vlerësimet periodike. Mungesa i detyron të moshuarit të paguajnë nga xhepi i tyre për marrjen e shërbimit sepse në të kundërt rrezikojnë të ngelen pa mjekim. Trajtimi mjekësor në klinikat private ka kosto të lartë, duke i detyruar ata të kërkojnë borxhe pasi me pensionin e tyre mezi nxjerrin muajin.