Emisioni Vetting/ Kadastra pajisi me certifikatë pronësie uzurpuesin e pronës private
Historia e kësaj përplasjeje institucionale në Lushnje, e dokumentuar në dosjen nr. 784 të Prokurorisë tregon se për më shumë se një dekadë, familja e Dhimo dhe Bukuri Boçit u mbajt peng mes dy certifikatave të pronësisë, asaj që kishin në xhep si pronarë të ligjshëm të truallit dhe asaj që shteti i dha ndërtuesit pa leje mbi tokën e tyre. Dokumentet zbulojnë një fakt tronditës se ish-kryetari i Bashkisë Fatos Tushe ishte në dijeni të situatës, ku familja Boçi kërkonte mbështetje nga IMT-ja Lushnje për të marrë pronën e saj ndërkohë që IMT-ja deklaronte se nuk kishte mjet. Drejtoresha e Planifikimit, Mimoza Haxhiu, ka dëshmuar se kërkesat e qytetarit Dhimo Boçi ishin cituar direkt nga ish-kryetari Tushe për drejtoritë përkatëse. Pra, informacioni se aty kishte një urdhër ekzekutimi ishte në majën e piramidës së Bashkisë, por përgjigjet që dilnin nga Bashkia shmangnin përgjegjësitë për të realizuar ekzekutimin.
Ndërkohë që Përmbarimi ankohej se nuk gjente fadromë, ish-ALUIZNI, i drejtuar nga Evis Qyra, po lëvizte me shpejtësi në kahun e kundërt. Edhe pse në vitin 2016 praktika e legalizimit ishte pezulluar sepse vetë Genci Gjoka kishte dorëzuar një vërtetim gjykate që tregonte se ishte në gjyq me pronarët, në shkurt të vitit 2018 çdo gjë ndryshoi. Me një urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme, praktika u rifillua me pretendimin se pezullimi ishte pa arsye ligjore.
“Ne i morëm vesh të gjitha këto sipas dokumenteve që kishte bërë dhe na u tha nga Gjykata që Genci Gjoka po bën legalizimin, atëhere u interesuam se çfarë dokumentesh kishte Genci Gjoka dhe i morëm të gjitha këto deri sa doli certifikata e pronësisë së tij. Ai mori atë të ndërtimit, atë që mori në bashki dhe ia dërgoi legalizimit. Drejtor i legalizimit ka qenë Evis Qyra. Evis Qyra kur vajtëm ne, i dërguam dosjen të gjithë pronës, çfarë kishim nga fillimi deri në fund, të gjitha vendimet e gjykatave, duke i treguar Evis Qyrës edhe letrat e postës sepse ai mohon dokumentacionet që ne kemi dërguar. Thotë; “Unë ja bëra legalizimin se nuk më ka sjellë dokumentet Dhimo Boçi”. Në të vërtetë unë kam letrat postare, që i ka marrë letrat, nisjen tonë dhe përgjigjet që na ka dhënë Evis Qyra vetë, ka firmosur vetë.
Atëhere ne vajtëm te kryetari i Bashkisë, kryetari nuk na priti, na priti zëvendëskryetarja, e cila na sqaroi megjithëse unë e dija këtë gjë “Shteti u jep dhe merr vetëm atyre personave që u ka zënë vetë institucioni shtetëror, po të ishte çerdhe, po të ishte shkollë”, ndërsa ky ishte privatisht dhe e sqarova. Genci Gjoka e dinte shumë mirë këtë gjë dhe kjo është shkelja që bëri ai dhe këmbëngulja që bëri ai te Evis Qyra. Evis Qyra shkeli ligjin duke thënë në ballafaqim me ne dhe gjoja në Prokurori se “Unë ja kam bërë legalizimin në bazë të VKM-së që ka nxjerrë kryeministri”.
Pavarësisht situatës specialistët e Aluiznit vazhduan proçedurat duke u justifikuar se ligji i lejonte të legalizonin objekte mbi tokën e të tretëve, pasi pronarët do të “kompensoheshin” nga shteti. Ata pretenduan në prokurori se nuk kishin asnjë dijeni për vendimin e prishjes, pasi sipas tyre, asnjë shkresë zyrtare nuk ishte administruar në protokollin e Aluiznit që t’i njoftonte për vendimin e Gjykatës apo urdhrin e ekzekutimit. Kjo mungesë informacioni brenda zyrave që ndodheshin në të njëjtin qytet, çoi në skandalin e shtatorit 2018, ku Genci Gjoka do të merrte certifikatën e pronësisë për shtëpinë që duhej të ishte shembur.
Sipas avokatit Duraj, ish-zyra e legalizimit e asaj kohe nuk duhet të bënte një legalizim të tillë pasi jemi para një rasti të tejkalim kompetencash.
“Në të gjitha ligjet që kanë qenë për legalizim dhe për legalizimin e objekteve informale, të gjitha këto ligje me ndryshimin që kanë pësuar nuk mund të legalizohet një pronë që është fituar me vendim gjykate, kjo është taksative”, tha avokati Duraj.
Marrja e certifikatës nga personi që kishte uzurpuar pronën Genci Gjoka, ishte goditja finale për familjen Boçi. Përmbarimi u detyrua të ndalonte çdo veprim sepse ligjërisht nuk mund të prishej një objekt që shteti e kishte certifikuar si pronë të ligjshme. Duhej që Dhimo Boçi të shkonte personalisht në zyrat e Aluiznit dhe të bënte alarm, që Evis Qyra të urdhëronte një verifikim arkive. Vetëm atëherë, Aluizni e pranoi si gabim, anuloi lejen e legalizimit dhe kërkoi fshirjen e saj nga Hipoteka, duke pranuar se objekti ishte vërtet me vendim prishjeje të formës së prerë.
“Në mënyrë të qartë dhe eksplicite nuk mund të bëhej legalizim pasi e ka futur në rreth vicioz dhe e fut në një spirale këtë konflikt.
Kjo është në favor të atij që e ka zaptuar këtë pronë edhe pse ASHK-ja i është drejtuar gjykatës për revokim ndërkohë që mund ta bënte vetë revokimin pra në rrugë administrative duke konstatuar pavlefshëmri absolute.
Është një e drejtë e ASHK sipas ligjit, që mund ta revokojë vetë këtë vendimmarrje që ka marrë”, tha avokati Duraj.
Ai shton më tej se ASHK-ja nuk kishte pse e dërgonte rastin në gjykatë pasi ligji ia jep fuqinë që ta bëj vetë rregullimin për gabime që bën, duke bërë çregjistrimin.
Nga hetimet e ish Prokororisë Lushnje ka disa detaje që ngrenë pikëpyetje pasi lidhet me përgjegjësitë penale. Kodi penal nuk të përjashton nga dënimi kur bën gabime, pavarësisht se vendimi i prokurorisë për të pushuar çështjen e lë ngjarjen pa autor.
“Apelin më të madh sot ja bëj të gjitha Prokurorive, prokurores Merita Selimi, Arben Dyla, Skënder Mestani dhe tani në Fier që janë akoma, Elida Hoxhaj. Skandal ishte bërë edhe hetimi nga Elida Hoxhaj, kam mbetur pa fjalë, nuk e doja veten.
Sikur të kisha unë atë ditë një shishe me benzinë, do ta kisha plasur atë ditë në Gjykatën e Fierit, c’është kjo padrejtësi e madhe që të më bëhet o Zot?! Skandal ishte hetimi! Skandal!” shprehet Bukuria për kallëzimin që bëri ndaj dhunuesve.
Përtej kërkesës për drejtësi, cifti Boçi ndjehet i kërcënuar nga pala që ka paditur në Prokurori dhe kërkon mbrojtje nga institucionet.
“Ne ndjehemi të rrezikuar nga Genci Gjoka dhe Policia që nuk merr masa të duhura për fjalët që ne dëgjojmë lart e poshtë, jo do vemi ti vëmë tritolin, jo do i bëjmë këtë, jo atë. Kështu që unë e bëj gjumin me ëndrra dhe i lutem shumë kryeprokurorit se unë kam bërë dy herë denoncime edhe në SPAK dhe SPAK-u i ka dërguar kryeprokurorit të Fierit Elion Mustafaraj që ta shikojë”, deklaroi Bukuria.
Ish-prokurori Skënder Mestani do të pushonte hetimet në vitin 2022, duke lënë ngjarjen pa autorë dhe duke e specifikuar fabrikimin e një certifikate për uzurpatorin si padashje dhe e paqellimshme. Mestani do të dorëhiqej nga detyra e prokurorit në vitin 2023 për t’iu shmangur “Vettingut”, duke u përjashtuar nga institucionet e drejtësisë për 15 vite.
Rasti i fshatit Bubullimë në Lushnje ekspozon tregon darën shtetërore që bllokon të drejtat e pronarit të ligjshëm të tokës, për të rimarrë në zotërim pronën e vet. Në mënyrë të trishtë, Bukuria pranon se të gjitha këto vonesa janë bërë qellimisht, duke deklaruar se “këta” presin që ata të vdesin.


