EMISIONI VETTING
Një nga institucionet më të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë është Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila ka përgjegjësi për analizat, kontrollin dhe gjurmimin e barnave në tregun shqiptar.
Por auditi dhe raportet zyrtare kanë zbuluar mangësi në funksionimin e këtij institucioni. “Farmakovigjilenca duhet të ndjekë çdo bar. Një bar mund të jetë shumë cilësor te prodhuesi, por transporti, temperatura apo lagështia mund t’ia humbasin cilësinë”, shprehet eksperti Pecnikaj.
Sipas dokumenteve zyrtare, në vitin 2022 janë konstatuar mangësi në sigurinë e shëndetit publik, përfshirë mungesën e programeve vjetore për analizat e barnave dhe mungesën e inspektimeve për pajisjet mjekësore në spitale dhe laboratorë.
Sipas ekspertit Dasho, këto probleme kanë nevojë për analizë nga mënyra se si drejtohen sot institucionet shëndetësore.
“Duke u përpjekur të centralizohen planifikimet te ministria krijohet konfuzion, ku disa medikamente mungojnë dhe disa të tjera skadojnë”, tha Dr. Erion Dasho.
Sipas auditit, Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia e Barnave nuk kanë arritur të garantojnë një sistem plotësisht të besueshëm për sigurinë e barnave. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit kritikon dobësinë e sistemit të farmakovigjilencës, pra monitorimin e efekteve anësore të barnave.
“Ky është roli i farmakovigjilencës, nga prodhuesi deri te pacienti”, thotë Pecnikaj. Një tjetër problem i evidentuar lidhet me listën e barnave të rimbursueshme. Nga qindra barna që figurojnë si alternativë e parë në listë, shumë prej tyre nuk janë importuar gjatë vitit 2023.
Në disa raste, barna që figurojnë në listë nuk rezultojnë të regjistruara sipas kërkesave ligjore. Kjo do të thotë se në letër ekzistojnë si alternativë për pacientët, por në praktikë nuk gjenden në treg. Auditimet kanë evidentuar gjithashtu mospërputhje në autorizimet për import dhe mungesë bashkëpunimi mes Agjencisë së Barnave dhe Doganave, çka rrit rrezikun që ilaçet të futen në treg pa verifikime të plota.
Ndërkohë, dokumente publike tregojnë se Agjencia e Barnave ka kryer pagesa për një tender për përmirësimin e sistemit të barnave dhe pajisjeve me vlerë rreth 134 milionë lekë. Sipas të dhënave nga platforma “Spending.al”, kjo kontratë është lidhur në vitin 2022.
Në këtë rast ngrihen pikëpyetje për lidhje të mëparshme biznesi pasi Sokol Sinani, i cili ka qenë ortak me Ilir Beqaj te kompania “Intech +” deri në gusht 2013 dhe në vitin 2017 bleu aksionet e kompanisë DATA LOG (ish DATA- LOGIC), e cila më vonë rezulton aktive.
Pyetja që shtrohet është si kompani me aktivitet të ulët ose periudha pasiviteti kanë arritur të përfitojnë kontrata publike me vlera të mëdha.
“Disa nga koncesionet kanë përfunduar në SPAK dhe jo më kot kemi edhe një ish ministër të akuzuar për këto kontrata”- shprehet eksperti Dasho.


