Para fillimit të përpjekjes së dyzet e tetë për konstituim të Kuvendit të Kosovës, po protestohet sërish para hyrjes së Kuvendit. Veteranë e ish-minatorë po shprehin revoltën e tyre për ngërçin politik, duke u bërë thirrje partive politike.
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Lulzim Prokshi i cili ka ardhur nga Kroacia, tha se në shenjë revolte për mos konstituimin e Kuvendit nga sot do të nis edhe grevë urie. Ai tha se do të bashkohen edhe veteranë të tjerë të luftës çlirimtare.
Prokshi: Do të bëjë grevë urie derisa këta të vendosin
“Kam dalë për zhagitjen që po e bëjnë për konsituimin e kuvendit që të konstituohet kuvendi. Unë kam shprehur dhe jam, do të bëjë grevë urie derisa këta të vendosin. I ftojë të gjithë veteranët, gjithë edhe popullatën kush të donë me ardhur, sot është momenti i fundit, boll më. Populli nuk duron. Sa muaj shkuan, s’ka kuvend. Nga kuvendi nisin të gjitha institucionet, nga këtu bëhet edhe shteti. Ne shtetin jemi duke e shkatërruar, nuk jemi duke e zhvilluar”, u shpreh ai.
Edhe ish-minatori, Hajrullah Haliti u ka bërë thirrje partive politike që sa më parë të formohen institucionet.
Haliti: Ju lutem që sa më shpejt të formohet Kuvendi
“Ju lutemi sa më shpejt ta formojnë parlamentin, qeverinë me ec përpara. Mos me dhënë shembull me kënaq serbin, se boll na ka torturuar, boll na ka masakruar, boll na ka prerë, boll na ka dhunuar. E sot me ardh me defiluar nëpër qeveri, me ardhur ata jo kështu jo ashtu, po shqiptarë jemi bre. Kush është Albulena Haxhiu”, u shpreh ai.
Në hyrjen kryesore të Kuvendit të Kosovës, ai ka qëndruar për disa minuta në shkallët ku ka vendosur edhe mbishkrime si “Deri dje ishim luajt e nëntokës, e sot lypsat e mbitokës”.
Haliti: Kemi ardhur këmbë deri në Prishtinë që të kërkojmë të drejtën tonë
“Në emër të ish-minatorëve dhe të punëtorëve të kombinatit Trepça, më 17 nëntor të 1988, më 16 nëntor me ardh këmbë më 17 nëntor 52 kilometra prej Stantërgut deri në Prishtinë që të kërkojmë të drejtën tonë për çka kush jemi, e për kë kërkojmë që t’i kemi të drejtat e barabarta sikur të gjithë popujt liridashës. Duke na u cenuar të drejtat prej serbëve, duke na shfrytëzuar Trepçën dhe të gjitha resurset kosovare, ne morëm vendim me ardh këmbë për Prishtinë. Ju lutem, Azizi u vdek, mundeni me i pyet… këtu shikoni ku jam duke punuar, këtu që më kanë burgosur, këtu kur kemi marrë vendim për këtu, shikoni ku është njësia speciale”, u shpreh ai.