Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Skelës në Vlorë, ku një kamarier 18-vjeçar është dhunuar fizikisht nga dy persona, mes tyre një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një tjetër me precedentë penalë.
Sipas dëshmisë së të riut, gjithçka nisi pas një keqkuptimi të vogël lidhur me porosinë në një tavolinë. “Erdhën dy zotërinj dhe u ulën. Porosinë e mori dikush tjetër, unë vetëm e shpërndava. Ishte një ujë i madh, një i vogël dhe një makiato. Kur ua çova, njëri më tha: ‘Vetëm një ujë sill, se ai tjetri është rrotë k…’. I thashë që s’ka problem, e heq ujin, por s’ka nevojë për fyerje, se ka ndodhur pa dashje”, ka treguar i riu.
Pas këtij shkëmbimi fjalësh, sipas kamarierit, dy burrat, rreth të 40-ave, e kanë ndjekur deri te banaku dhe e kanë sulmuar. “I thashë ‘të lutem, mos më kap me dorë’. Ishte edhe menaxheri aty. Njëri më qëlloi me shpullë dhe dy herë me grusht në fytyrë dhe në qafë. Më hodhi syzet, mirë që nuk m’i theu. Sapo i kam mbushur 18 vjeç”, rrëfen ai.
Autorët e dyshuar të dhunës janë identifikuar si Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit në Vlorë, dhe Leart Bino, një person me të kaluar kriminale.