Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar padinë e zyrtarit të policisë, Gentian Ndoi dhe ka vendosur se përzgjedhja e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit nga KLP-ja është e ligjshme.
Vendimi u mor sot (7 prill) nga treshja gjykuese e përbërë nga Altina Nasufi, Ardian Dvorani dhe Sokol Ibi.
Rasti kishte përfunduar me padi në Gjykatën Administrative, kandidati Ndoi, kishte kundërshtuar procedurën e fazës së përzgjedhjes dhe shpalljes fitues të Joni Ketës, duke pretenduar se ai mori më shumë pikë në konkurrim.
Por kjo kërkesë e tij juridike në Gjykatë, se ka marrë më shumë pikë në konkurs dhe duhet të ishte drejtori i BKH-së, nuk është gjetur e ligjshme sot nga Administrativja, duke e rrëzuar.
Në fuqi mbetet votimi i anëtarëve të KLP-së, që përzgjodhën Ketën si kreun e FBI-së shqiptare.
Vendimi i Apelit Administrativ thotë se:
“Gjykata, bazuar në Nenin 40/3 të Ligjit Nr.49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, unanimisht:
VENDOSI
- Rrëzimin e padisë.
- Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim palës paditëse.
- Kundër këtij vendimi lejohet rekurs brenda 30 ditëve në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, afat që fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.


