Është anuluar zyrtarisht tenderi për portin e ri tregtar në Porto Romano, pasi kompania e vetme e mbetur në garë, Achirodon, u tërhoq.
Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars, tender i cili kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh.
Në vendimin zyrtar janë renditur edhe arsyet e anulimit të tenderit, ku ndër të tjera thuhet se disa nga arsyet janë: në procedurat me faza nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e përshtatshme; në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme; konstatohet se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme;, etj.
Po ashtu Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) po heton lidhur me procedurën e tenderit, pasi disa javë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e Autoritetit Portual Durrës dhe sekuestruan të gjithë dokumentacionin e garës për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, më 23 shkurt.
Projekti i Porto Romanos u përballë me kritika dhe kundërshti nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe opozita për lidhjet e dyshimta me Rusinë. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.
Van Cleeve e konsideroi këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës, pasi sipas tij, projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon.
Van Cleeve argumentoi se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.
Ai paralajmëroi se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.
Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim, ai kërkoi që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhej dhe projekti të rishikohej në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
REFUZIMI I RAMËS
Më 9 mars kryeministri Edi Rama para deputetëve të PS, ka theksuar se duhet të jepte një qëndrim për tenderin e Porto Romanos, për të cilin tha se plani i tij ka ngjallur xhelozi. Në qëndrimin e tij, i cili linte vend për interpretime, Rama ka thënë se: “ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet”.
“Duhet të them këtu dy fjalë për Porto Romanon, është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale e Royal Haskoning nga Hollanda.
Një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga A-ja te Zh-ja nga konsulenti Royal Haskoning përsëri dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian, për çdo gjë tjetër jam te C-ja” u shpreh kryeministri.
RUSET PAS PORTI TE RI NE PORTO ROMANO
Opozita nga ana tjetër ka theksuar se pas fituesve të projektit të Porto Romanos qëndrojnë interesa të kundërshtarëve të NATO-s, me konkretisht Rusisë. Sipas Berishës, Rama do qe porti te ndërtohet nga ruset, por kjo gje eshte zbuluar nga aleatet e NATO-s.
“Edi Rama ka dorën e tij të zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, një pasuri kombëtare prej 4 miliardë eurosh.
Ai u përpoq të tërheqë në aferat e tij korruptive NATO-n, por dështoi me turp dhe tani që janë oferta të qarta të partnerëve strategjikë, ai kërkon që portin e Durrësit për ta vjedhur ta ndërtojë me rusët apo me të tjerë që kanë interesa të ngushta strategjike me Shqipërinë dhe NATO-n”, ka thënë Berisha.


