Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të dërguar Naim Murselin në ekzaminim psikiatrik, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shmangur dënimin me burgim të përjetshëm.
Në një prononcim për televizionin Dukagjini, Syla u shpreh se kjo është një manovër ligjore nga mbrojtja për të zvarritur procesin gjyqësor ose për të ndikuar në lehtësimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.
“Vendimi i gjykatës është formalisht në përputhje me procedurat ligjore, por në këtë rast shihet si një taktikë e njohur për të ndikuar në dënimin përmes pretendimeve për probleme mendore. Kjo mund të jetë përpjekja e fundit për të ndryshuar rrjedhën e procesit,” deklaroi Syla.
Ai shtoi se në të kaluarën, raste të ngjashme me ekzaminime psikiatrike janë përdorur për të vonuar drejtësinë ose për të krijuar bazë për arratisje, duke theksuar se shpesh përfundimi ka qenë se i akuzuari ishte mendërisht i shëndetshëm.
Ndërkohë, avokatja e Murselit ka argumentuar kërkesën duke deklaruar se klienti i saj ka shfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme. Gjykata ka miratuar kërkesën dhe ka urdhëruar që ekzaminimi të kryhet brenda një afati dyjavor.
Sipas mediave kosovare, Murseli është shtruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK dhe gjatë ditës së sotme është dërguar edhe në Klinikën e Neurologjisë për ekzaminime të mëtejshme. Drejtori i QKUK-së, Shpend Haxhibeqiri, ka konfirmuar se Murseli do të qëndrojë në institucion për aq kohë sa stafi mjekësor ta konsiderojë të nevojshme.
Avokati Syla tha gjithashtu se familjarët e viktimës e kanë pritur me shqetësim këtë zhvillim dhe kanë frikë për ndonjë ndikim të mundshëm në vendimmarrje gjatë përpilimit të raportit psikiatrik.
“Familja shpreh shqetësimin se ekzaminimi mund të shërbejë si një justifikim për zbutjen e dënimit. Shpresojmë që ky proces të zhvillohet me drejtësi dhe profesionalizëm të plotë,” përfundoi ai.
Naim Murseli akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, gjatë një skenari të sajuar si grabitje. Sipas aktakuzës, motivi i krimit ishte përfitimi nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë rreth 260 mijë euro, si dhe hakmarrja për prishjen e marrëdhënieve martesore.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Murselit dhe tre të tjerëve – Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, duke e akuzuar Plavën si autorin e vrasjes dhe Murselin si porositësin që premtoi një shpërblim prej 30 mijë euro. Murseli ka deklaruar pafajësi në të gjitha seancat gjyqësore të mbajtura deri tani.