Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka marrë vendimin për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, deputetin Flamur Noka, i kallëzuar penalisht për shpifje nga efektivi i Burgut të Peqinit, Gjergji Vishkulli, tetorin e vitit të kaluar.
Pasi trupa gjykuese dëgjoi palët dhe shqyrtoi materialet hetimore, vendosi sot (8 prill) që të shpallte të pafajshëm deputetin e opozitës.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Rudina palloj, e cila ka rrëzuar pretendimet e denoncuesit.
Më herët Gjykata e Posaçme kishte pushuar një tjetër çështje denoncimi ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Flamur Noka, para zgjedhjeve të 11 majit, kallëzim po nga efektivi Gjergji Vishkulli.
Vendimi ishte marrë më 3 tetor 2025, po nga e njëjta gjyqtare. Polici i burgut, paditës, Gjergji Vishkulli, e akuzonte deputetin e PD-së për shpifje në lidhje me denoncimin që ligjvënësi bëri më 8 maj se një grup policësh të Burgut të Peqinit ishin përfshirë në fushatë elektorale për shtabin e kandidates aktualisht deputete e PS, Sara Mile dhe grupit të Suel Çelës në Elbasan.
Noka në denoncimin që bëri gjatë zgjedhjeve parlamentare publikoi një listë me mbi 10 persona, efektivë burgjesh, për të cilët tha se ishin në shtabin e deputetes dhe bënin fushatë për të, duke ushtruar presion dhe kërcënime ndaj kolegëve për heqje nga puna nëse nuk votonin Sara Milen.
Ai deklaroi se madje në lokalin e një prej efektivëve ishte mbajtur edhe një takim elektoral për këtë qëllim.
Vendimi i GJKKO-së:
“1. I dëmtuari akuzues Gjergji Vishkulli me datë 21.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me të akuzuar deputetin, shtetasin Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike në Republikën e Shqipërisë dhe objekt:
“1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht. 2. Detyrimin e të paditurit të akuzuar të përgënjeshtrojë denoncimin publik të publikuar në adresën e facebook-ut të të akuzuarit të paditur Flamur Noka me shpenzimet e tij nëpër të gjitha mediat kombëtare, duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 59, 379, 384 dhe 388/1 të K.Pr.Penale, si dhe nenin 120 të Kodit Penal, me vendimin nr. 30, datë 08.04.2026 vendosi:
- Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Flamur Noka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, pg.2 i K.Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
- Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.


