Deklaratat e Prokurorit Rexhep Maqedonci lidhur me një studente që pretendonte se është ngacmuar seksualisht nga një profesor, kanë bërë që ndaj tij të merren masa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. KPK’ja ka vendosur që për ofendimet ndaj studentes, prokurorit t’i shqiptohet masë disiplinore.
Arjeta Shabani
Në mars të këtij viti, Prokurori Rexhep Maqedonci e kishte ofenduar një studente, vetëm pse ajo pretendonte se një profesor i saj e kishte ngacmuar seksualisht, duke i ofruar që ta kalonin një natë së bashku.
Maqedonci e kishte quajtur “të poshtër” studenten dhe bashkëshortin e saj, derisa ofertën e profesorit thoshte se nuk e konsideron ngacmim.
Por, pavarësisht se këto deklarata Maqedonci i ka dhënë para më shumë se gjashtë muajve, tek tash janë marrë masa ndaj tij.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur që si “dënim” për këto deklarata t’i japë prokurorit një vërejtje jopublike. Në KPK i kanë thënë Gazetës Express se prokurorit Maqedonci i është shqiptuar masa disiplinore.
“Në emër të Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, ju njoftojmë se prokurori Rexhep Maqedonci, lidhur me rastin e përmendur nga ju, i është nënshtruar procedurës disiplinore, është mbajtur seanca dëgjimore në KPK, dhe është marrë vendimi përmes së cilit prokurorit Maqedonci i është shqiptuar masa disiplinore”, kanë thënë në KPK.
Deklarojnë se për këtë vendim ai ka të drejtë që t’i drejtohet edhe Supremes, gjykatë e cila jep edhe vendimin përfundimtar.
“Sipas legjislaciontit në fuqi, palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit të KPK-së në Gjykatën Supreme. Vendimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar”, thuhet në përgjigjet e KPK’së.
Maqedonci e kishte quajtur “të poshtër” vajzën që ka ngritur rastin, derisa profesorin thoshte se është i pafajshëm.
“O i kam shiku të gjitha deklaratat, nuk ka aty ngacmim seksual, po më ngacmon ky mua apo unë ty, por njerëzit e poshtër deri në atë masë bijnë nga mungesa e aftësive profesionale dhe kualiteti për me e dhënë një provim si duhet dhe me nder, mundohen me e shantazhu një njeri të pafajshëm. Ai mund të bëjë gjithçka por ngacmim seksual aty nuk ka më sa kam pasur unë me nënën time”, kishte thënë Maqedonci për media.
Ai e kishte quajtur “të poshtër” edhe burrin e studentes i cili ishte përfshirë në një konflikt me profesorin. Madje, kishte thënë se edhe nëse dikush do i kërkonte gruas së tij që të flinin bashkë, ai nuk do ta konsideronte ngacmim.
“Një njeri i poshtër një “degjenerik” u mundu me ia lënë fajin. Ai ka shku me e sulmu se pse gruaja nuk e ka dhënë provimin, mandej jo ky ja ka lyp gruas time, i ka thënë gruas time a po vjen me flejtë me mua… edhe gruas time mundet me i thënë dikush a po vjen me flejtë por ky nuk është ngacmim, me flejtë nuk ka kurrgjë, kurrfarë zarari nuk ka me flejtë”, kishte thënë prokurori.
Ndërkohë, të alarmuar nga deklaratat e Maqedoncit para disa javësh kishin reaguar dhjetëra organizata nga shoqëria civile.
Përfaqësuesit e këtyre organizatave, i kishin konsideruar shqetësuese deklaratat e prokurorit Maqedonci. Në këtë reagim shoqëria civile kishte kërkuar edhe shkarkimin e prokurorit Maqedonci.
“Ne përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkojmë shkarkimin e këtij prokurori nga rasti në fjalë për arsye të anshmërisë me palën e akuzuar dhe trajtimit jo të denjë të viktimës në fjalë. Paragjykimet e prokurorit në fjalë e privojnë nga kërkimi i drejtësisë secilën viktimë të ngacmimit seksual ndërsa inkurajon ngacmuesit e tjerë potencial, të vazhdojnë me ngacmimet e tyre”, thuhej në reagim./Gazeta Express




