Policia ka shoqëruar në komisariat një dentist 36-vjeçar në Devoll, pas vdekjes së një 59-vjeçari që ra pa shenja jete menjëherë pasi doli nga klinika dentare ku po merrte trajtim.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:10 në qytetin e Bilishtit. Viktima, shtetasi Sh. D., kishte shkuar për një mbushje dhëmbi dhe, sipas policisë, pas daljes nga klinika, ra në tokë dhe humbi jetën. Mjekët konfirmuan se ai kishte mbërritur në spital pa shenja jete dhe pa shenja dhune.
Sipas njoftimit zyrtar, dentisti i përfshirë është shtetasi B. L., 36 vjeç, i cili është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërkohë që pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Grupi hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.