Gjykata e Vlorës ka shpallur të pafajshëm pesë efektivë të policisë, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me ngjarjen tragjike të verës së vitit 2022 në plazhin e Potamit, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Vendimi u dha këtë të mërkurë, më 16 korrik 2025, në përfundim të një procesi gjyqësor trevjeçar. Gjatë seancës përmbyllëse, prokurorja e çështjes kërkoi dënimin e secilit prej pesë efektivëve me nga 1 vit e 6 muaj burg, por Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i shpalli ata të gjithë të pafajshëm.
Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm edhe gjyshi i së miturës, Ismet Avdiaj, i cili mbajti fjalën e tij para trupit gjykues. Pas shpalljes së vendimit, ai u shpreh i thellësisht i zhgënjyer nga drejtësia, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe duke theksuar se pretendimet e familjes nuk u morën parasysh.
Si ndodhi tragjedia në Potam
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022, kur Jonada Avdiaj, vetëm 7 vjeç, humbi jetën pasi u godit për vdekje nga një gomone e drejtuar nga polici Arjan Tase, teksa ajo po lahej në breg të detit së bashku me babain e saj.
Arjan Tase u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes me dashje”, në bazë të nenit 76 të Kodit Penal. Fillimisht u dënua me 18 vite burg, por përfitoi ulje të një të tretës së dënimit në bazë të gjykimit të shkurtuar, duke marrë 12 vite burgim përfundimtar.
Ndërkohë, procesi ndaj tetë efektivëve të tjerë policorë u trajtua veçmas. Ata akuzoheshin për shpërdorim detyre, me pretendimin se kishin dështuar të zbatojnë masat e sigurisë në zonën e plazheve gjatë sezonit turistik. Prokuroria argumentoi se mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes policore kishte kontribuar në krijimin e kushteve për ngjarjen tragjike.
Pas një procesi të zgjatur, pesë prej tyre u shpallën të pafajshëm, ndërsa çështja për tre të tjerë është ende në shqyrtim.