Një 21-vjeçar është gjetur i pajetë në tualetet e konviktit të një shkolle private pranë katedrales ortodokse “Lindja e Krishtit”, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër.
I riu, banues në Durrës është gjetur rreth orës 09:55, sipas policisë pa shenja jete dhe pa shenja dhune.
Nga hetimet e para dyshohet se Simon Sholla ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21 vjeçari merrte për shkak të depresionit.
“Më datë 16.01.2025, rreth orës 09:55, në tualetet e konviktit të një shkolle private, në lagjen “11 Janari”, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi S. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21 vjeçari merrte për shkak të depresionit”, njofton policia.
Mësohet se i ndjeri nga Myzeqeja, ishte jetim dhe ishte rritur në Qendrën e Kujdesit në Shën Vlash, Durrës.
Ai ishte student i Fakultetit të Teologjisë në Akademinë “Logos” në Durrës dhe kishte shkuar në Gjirokastër për një vizitë në vendin ku kishte përfunduar shkollën e mesme për t’u takuar me shokët e tij.