Qindra irakianë po vazhdojnë të protestojnë në sheshin “Tahrir” të Bagdadit, pavarësisht masave të rrepta të qeverisë për t’i shtypur protestat e përgjakshme.
Disa të rinj protestues i larguan barrikadat që ishin vendosur në urën që dërgon në zonën e gjelbër, e cila është duke u mbrojtur nga forcat e sigurisë. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
Së paku 67 irakianë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën të premten dhe të shtunën, kur protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë gjatë valës së dytë të protestave kundër kryeministrit Adel Abdul Mahdi. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 224.
Shërbimi Kundër Terrorizmit tha të dielën se ka dërguar forca nëpër rrugët e Bagdadit për t’i mbrojtur ndërtesat e rëndësishme shtetërore.
Ky njësit i arrestoi dhjetëra protestues në qytetin Nassiriya të shtunën në mbrëmje.
Kjo kryengritje e ka thyer qetësinë gati dyvjeçare në Irak, vend i cili nga viti 2003 deri në vitin 2017 është përballur me pushtues të huaj, luftë civile dhe sulme nga Shteti Islamik, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.




