Papa Leoni XIV ka bërë thirrje të dielën për paqe të drejtë dhe mirëfilltë në Ukrainë, si dhe për armëpushim të menjëhershëm në Gazë, në mesazhin e tij të parë të së dielës për njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Edhe unë u drejtohem fuqive të mëdha të botës për ta përsëritur thirrjen: ‘Jo më luftë’”, tha Leoni XIV para rreth 100.000 njerëzve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit.
Duke folur në italishte të rrjedhshme, Leoni XIV – i cili u zgjodh papë më 8 maj – përshëndeti gjithashtu armëpushimin e brishtë të arritur së fundmi mes Indisë dhe Pakistanit, dhe tha se po lutej që Zoti t’i dhurojë botës “mrekullinë e paqes”.
Papa Leoni tha se bota sot po përjeton “skenarin dramatik të një Lufte të Tretë Botërore që po zhvillohet pjesë-pjesë”, duke përsëritur sërish një shprehje të përdorur nga Françesku. Mijëra njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit dhe përgjatë rrugës “Via della Conciliazione” që të çon në Vatikan, shpërthyen në duartrokitje kur Papa Leoni bëri thirrje për paqe.
Papa i ri tha se në zemrën e tij mban “vuajtjet e popullit të dashur të Ukrainës”.
Disa orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, propozoi bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme trivjeçare, Leoni bëri lutje për bisedime që do të sillnin “paqe të mirëfilltë, të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Leoni, ish-kardinali me emrin Robert Prevost, u bë papa i parë amerikan kur u zgjodh më 8 maj për ta pasuar Françeskun, i cili vdiq më 21 prill./REL