Varianti “Omicron”, Bërxholi: Mund të ketë ndikim në mënjanimin e imunitetit të lindur

Varianti “Omicron”, Bërxholi: Mund të ketë ndikim në mënjanimin e imunitetit të lindur

Voltiza Duro– Shfaqja e mutacionit të ri të koronavirusit, i njohur si “Omicrom” po shqetëson të gjithë botën. Nëse ky variant i ri ka një transmetueshmëri më të lartë, rrezik të shtuar e rezistencë ndaj vaksinimit, atëherë fundi i pandemisë nuk do të jetë aq afër sa e mendonim. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, prof. dr. Kristaq Bërxholi, ekspert i njohur i mjekësisë veterinare, ish-profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe ish-drejtor i IKV (sot ISUV), shpjegon në mënyrë të detajuar strukturën e variantit të ri dhe thekson se OBSH-ja e ka cilësuar si një mutacion shqetësues.


Së fundi një mutacion i ri i Sars Cov 2, i njohur si “Omikron” ka shqetësuar autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Si qëndron e vërteta?

Bazuar në cilësitë e vetë virusit për mbijetesë si dhe kjo situatë e tillë shtoi shansin dhe shpejtësinë e lindjes së mutantëve, pavarësisht faktit se natyra e këtyre lloj shkaktarëve – coronaviruseve është se ata nuk mutohen shumë shpejt në raport me viruset e influencës ose të tjerë. Pavarësisht këtyre teorive, shkencëtarët që në fillim të fushatës së vaksinimit, duke marrë në konsideratë të gjitha anët negative të përmendura më lartë, paralajmëruan se vonesa në vaksinim do të ndikonte pozitivisht te virusi, që do të shoqërohet me shfaqjen e mutantëve. Dhe nuk kaloi shumë kohë, filluan të dalin në skenë një numër mutantësh me mutacione jo të shumta në “spike”- un e tyre, të cilat nuk ishin shumë shqetësues për shkencëtarët. Këta mutantë u vlerësuan si jo të rrezikshëm. Por në midis tyre u shfaq një mutant i ri, i cili nga pikëpamja patogjenetike nuk kishte ndryshime tek bujtësit e vet, por nga pikëpamja epidemiologjike krijoi një panik për shkak të rritjes së dukshme të infektimeve dhe të ngjitshmërisë te bujtësit. Ky mutant shumë shpejt u bë dominues në botë. Ky mutant i quajtur “Delta” dhe më vonë “Delta Plus” zëvendësoi edhe mutantët e tjerë që kishin lindur si “Alfa”, “Beta”, “Gama”, “Lambda” etj. dhe mbizotëroi situatën dhe aktualisht ai është prezent thuajse në të gjithë botën dhe i vetëm. Situata u bë shqetësuese, pasi infeksionet u shtuan dukshëm. Gjithsesi, bazuar në ritmin e shtimit të vaksinimeve, ku kishte shtete që e vaksinuan totalisht popullatën e tyre, si Izraeli, madje ata filluan edhe vaksinën “booster”, mutanti “Delta” duke mos pasur cilësi për t’i shpëtuar imunitetit vaksinal, ngadalësoi përhapjen, por jo eliminimin. Në këtë situatë të turbullt dhe pa shumë qartësi, doli në skenë një mutant i ri, i cili krijoi shqetësim për shkencëtarët. OBSH-ja e vlerësoi seriozisht situatën dhe ka bërë thirrje për studimin sa më të shpejtë të këtij mutanti të ri.

Po çfarë është ky mutant?

Në Afrikën e Jugut para pak kohësh u evidentua një variant i ri i COVID-19. Ky variant i ri duket se është krejt i ndryshëm nga varianti “Delta” dhe që në fillim u mendua se mund të bëhet predominant në botë.

Po cilat janë ato cilësi, cila janë diferencat nga varianti “Delta”, që ka krijuar këtë shqetësim te shkencëtarët? Çfarë kujdesi duhet të dihet dhe çfarë thotë OBSH-ja për të?

Si është problemi lidhur me patogjenicitetin e tij? Këto pyetje do të mundohemi t’i sqarojmë me ato të dhëna të deritanishme, pasi duhet kohë për t’u dhënë përgjigje përfundimtare çështjeve të ngritura. Ky mutant u vlerësua si i tillë për shkak të prezencës së lartë të mutacioneve të ndodhura në të, që në raport me mutantët e tjerë janë shumë më të shumta. Këto mutacione të këtij mutanti të ri, të emërtuar fillimisht B.1.1.529 dhe që më vonë nga OBSH-ja u emërtua “Omicron”, në sasi të mëdha janë përqendruar te majat(spikeligandët) e tij me të cilat lidhet me qelizat e bujtësit, njeriut. Këto vende lozin rol kyç në fiksimin e këtij mutanti në receptorët qelizorë. Menjëherë OBSH-ja e klasifikoi këtë variant të ri si “variant shqetësues”. Të dhënat e para për këtë variant flisnin për mundësi të reja transmetimi, pra rritjes së përhapjes së tij, e cila mund të jetë më e madhe se sa “Delta” dhe u mendua se vaksinat aktuale, të cilat janë përgatitur mbi bazën e virusit të egër, mund të mos e neutralizojnë atë. Varianti i ri vazhdon të shfaqet si dhe në të njëjtën kohë të përhapet në shumë vende të botës. Deri tani është evidentuar në shumë shtete të Europës, në Kanada, në Afrikë, por jo në Amerikë, sipas njoftimeve të vetë prof. Fauci. Siç u përmend dhe më lartë, ky variant ka shumë mutacione në “spike” të tij dhe mendohet se ka ndryshuar dukshëm cilësitë infektive të tij duke u rritur ato. Afrika e Jugut, ku u evidentua për herë të parë ky variant flet për një rritje 4 herë të këtij transmetimi, në rastet e reja më së paku për dy jave.

Po cilat janë mutacionet që karakterizojnë këtë variant?

Në profilin e mutantit, të variantit të ri, flitet për “një grumbullim jo të zakonshëm të mutacioneve” me 30 në regjionin që enkodon proteinat e majës (spike) të virusit, regjion i cili është përgjegjës për hyrjen në qelizat e bujtësit (njeriut). Disa mutacione deri tani janë studiuar mirë dhe shihet se kanë një impakt fenotipik të njohur, të lidhur me transmetueshmërinë dhe me shpëtimin nga imuniteti. Disa nga këto mutacione janë parë edhe te variantet “Alfa” dhe “Delta”, por shumica e mutacioneve të tjera janë “parë shumë rrallë dhe nuk janë shumë të njohur deri tani”. Kështu që cilësitë e plota të këtyre mutacioneve mbeten të pasigurta deri tani. Për këtë, “duhet të ndërmerren më shumë kërkime për të përcaktuar impaktin e këtyre mutacioneve në kapacitetin e transmetimit të virusit me eficiencë, në impaktin e efektivitetit të vaksinave aktuale si dhe në mënjanimin e përgjigjes imunitare, si dhe në shkaktimin e llojit të patologjisë së lehtë apo të rëndë” , njofton “Africa Centers for Disease Control” (CDC). Sipas NGS-SA, një grup mutacionesh të njohur si 655Y + N679K + P681H janë të lidhur me futjen eficiente në qelizë, por sipas qendrës së mësipërme, këto mund të kenë ndikim edhe në mënjanimin e imunitetit të lindur, duke rritur kështu transmetueshmërinë. Gjithashtu, ky variant mbart edhe mutacionet e njohura si R203K+G204R, të para te variantet “Alpha”, “Gamma” dhe “Lambda”, të cilat gjithashtu janë të lidhura me rritjen e infektivitetit. Bazuar në këto të dhëna, OBSH-ja bazuar në të dhënat e grupit teknik të saj, e përcaktoi këtë variant si variant shqetësues dhe që është i lidhur me një ose më shumë nga ndryshimet e mëposhtme: rritje të transmetueshmërisë, uljen e efektivitetit të diagnozës, vaksinave dhe të terapisë. Një ditë më parë Maria Van Kerkohove, “COVID-19 Technical Lead at WHO” kishte thënë se: “Ky variant i evidentuar në Afrikën e Jugut ka më shumë se 100 sekuenca genomike që janë aktive. Në nuk dimë shumë gjëra rreth tyre akoma dhe shqetësimi është se kur kemi shumë mutacione, ato mund të kenë impakt në sjelljen e virusit”.

Deri më tani cilat janë të dhënat që kemi mbi simptomat që jep ky mutacion?

Të dhënat e deritanishme nga Afrika e Jugut flasin për “shenja jo të pazakonta” dhe ashtu si dhe në rastin e variantit “Delta”, disa individë janë asimptomatikë. Bazuar në faktin korrelacionet klinike dhe epidemiologjike ende nuk janë plotësisht të qarta, nuk mund të jepet që tani ndonjë masë urgjente. Afrika e Jugut, nga ana e vet, ka ndërmarrë studime për të parë nëse ky variant ndikohet apo i shpëton imunitetit nga vaksinat aktuale. Në këtë vend është vendosur një sistem në kohë reale për të monitoruar hospitalizimin dhe të dhëna të tjera për variantin. Të dhënat, nëse mutacionet janë të lidhura me ashpërsinë e sëmundjes apo nëse ky variant ka ndikim në performancën e mjekësisë terapeutike që aplikohet nëpër spitale. Një moment tjetër që ka ngritur shqetësimin është nëse ky variant i ri a mund të zbulohet apo jo nga testi i PCR? Sipas studiuesve të kësaj fushe në Afrikën e Jugut, është parë se ky variant ka një fshirje brenda genit S që lejon identifikimin e shpejtë të tij. “Megjithatë, ka edhe shumë targete të tjera (përfshi genet N dhe RdRp), të cilët kanë mbetur të paprekur në studimet e bëra mbi 100 kampioneve në laborator, kështu që në përgjithësi testi i PCR ngelet i paprekur lidhur me ndjeshmërinë.

Testet PCR kanë cilësi tipike që zbulojnë më së paku dy targete të ndryshme të SARS-CoV2, të cilët shërbejnë si “backup” në rastin e një mutacionit në njërin prej tyre”. Ku duhet përqendruar kujdesi për këtë variant të ri?

Të gjithë ekspertët theksojnë se vaksinimi ngelet pika kritike, sidomos për mbrojtjen e grupeve me risk të lartë kundrejt hospitalizimit dhe vdekjeve.

Të dhënat në kohë reale flasin që një nivel i lartë vaksinimi është gjithashtu mjaft sinjifikativ në reduktimin e shtamit në sistemet shëndetësore. Shfaqja e variantit të ri tregoi se pandemia ende është larg bllokimit dhe sjellja e COVID-it është mjaft kritike në shkëputjen e zinxhirit transmetues. Maskat, distanca sociale, ventilimi i mirë në të gjitha hapësirat e përbashkëta si dhe larja e duarve e dezinfektimi i tyre si dhe i sipërfaqeve mbeten të rëndësishme. Prof. Wei Shen Lim, “Joint Committee on Vaçination and Immunisation” (JCVI) në Angli thotë: “Vaksinat që përdoren në Londër dhe në gjithë botën janë prodhuar duke pasur parasysh virusin e egër dhe jo për variantin e ri. Parë nga kjo pikë, aq e madhe është ‘mospërputhja’ midis vaksinave dhe variantit të ri, saqë ka ngritur idenë që varianti i ri ka të ngjarë t’i shpëtojë imunitetit nga ato. “Megjithatë – shton prof. Lim – ‘booster’-i, i cili krijon një superngarkesë për përgjigjen imune ofron një armë të mirë kundrejt variantit të ri”.