Ultimatumi i dhënë nga kryeministri Edi Rama për një “pastrim” të administratës vendore po hyn në një fazë intensive. Të martën në mëngjes, një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokalë në Bashkinë Belsh kanë dhënë dorëheqjen, duke i hapur rrugë një ristrukturimi të plotë.
Po ashtu, në Bashkinë Prrenjas, tre administratorë kanë dorëzuar dorëheqjen që prej ditës së djeshme. Sipas gazetarit të News24, Fatmir Popja, në këtë bashki po zhvillohet paralelisht një vlerësim i thelluar i performancës për drejtuesit e tjerë që vijojnë të qëndrojnë në detyrë.
I njëjti proces po zhvillohet në Peqin, Cërrik dhe Gramsh, ku dorëheqjet po ndodhin në mënyrë graduale, ndërsa në Librazhd dhe Elbasan vala e largimeve ka nisur që prej të hënës.
Qeveria ka bërë të qartë se synimi është riformatimi i të gjithë strukturës drejtuese në nivel vendor, për të garantuar më shumë eficencë, përgjegjshmëri dhe shërbim ndaj qytetarit. Në fokus do të jenë përzgjedhje të reja me bazë meritokracie dhe transparencë, ndërsa pritet që procesi të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit.
Megjithatë, në disa bashki të qarkut Elbasan ende nuk janë dorëzuar dorëheqjet, çka tregon se presioni politik dhe institucional për zbatimin e reformës është në rritje.