Vala e dorëheqjeve në qarkun e Korçës ka përfshirë edhe Bashkinë Maliq, ku katër administratorë të njësive administrative kanë paraqitur largimin nga detyra. Lajmi vjen pas zhvillimeve të ngjashme në bashkitë Korçë, Devoll dhe Kolonjë, ku një numër drejtuesish vendorë kanë bërë të njëjtin hap.
Sipas burimeve, aktualisht për nënkryetarët e Bashkisë Maliq nuk ka nisur asnjë procedurë dorëheqjeje dhe situata mbetet e paqartë. Edhe në nivelin e drejtorëve të bashkisë nuk është regjistruar asnjë lëvizje apo vendim për largim.
Një ditë më parë, gjashtë kryetarë të njësive administrative në Bashkinë e Korçës dorëzuan dorëheqjet e tyre pranë kryebashkiakut Sotiraq Filo. Ata pritet të vijojnë qëndrimin në detyrë deri në emërimin e pasardhësve.
Ndërkohë, dy nënkryetarët e Bashkisë Korçë nuk kanë paraqitur dorëheqje dhe, sipas burimeve, nuk është kërkuar një veprim i tillë nga drejtuesit e bashkisë.
E njëjta situatë është shënuar edhe në Bashkinë e Kolonjës, ku tre kryetarë njësish administrative kanë dhënë dorëheqjen.