Detaje të reja dalin lidhur me aktivitetin e paligjshëm që përfshinte grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të skaduara në një fabrikë në Vorë.
Gazetari Igli Çelmeta raporton se subjekti tregtar “Master AL”, ku figuron si ortak Skifter Tagani, u identifikua si qendra e këtij aktiviteti të jashtëligjshëm.
Sipas hetimeve të Policisë dhe njoftimit zyrtar të QKB, fabrika kishte krijuar një rrjet të mirëorganizuar grumbullimi të ushqimeve të skaduara nga tregje në qytetet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe në disa raste edhe nga jashtë Shqipërisë.
Ushqimeve u fshihej ose falsifikohej data e skadencës, për t’u rikthyer më pas në treg si të konsumueshme.
Gjatë kontrollit në ambientet e “Master AL”, u sekuestruan dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, të cilat, sipas ekspertizës, kishin skaduar që prej janarit 2025.
Policia arrestoi në flagrancë sot Florenc Domin, administrator i subjektit tregtar dhe Agim Domin, magazinier pranë fabrikës.
Ndërkohë, Skifter Tagani, që sipas regjistrimeve zyrtare është ortak në “Master AL”, është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Autoritetet kanë nisur hetime të zgjeruara për të zbuluar shkallën e përhapjes së këtyre produkteve në treg dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes së ushqimeve të skaduara.
Sipas të dhënave nga Qendrën Kombëtare e Biznesit kompania “Master AL” ka për objekt të saj kryerjen dhe marrjen pjesë në të gjitha aktivitetet që një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar mund të ushtrojë në bazë të legjislacionit shqiptar, dhe në veçanti:
Në fushën e tregtisë: Import-eksport me shumicë e pakicë, tregti të mallrave industriale, ushqimore, blegtorale e bujqësore, veshmbathje, automjete, makinerive, pajisjeve hidrosanitare, veshje, mobiljeve, artikujve kozmetike, konfeksioneve, kancelari.
Tregti me pakicë të vajrave lubrifikantë e karburanteve.
Në fushën e ndërtimit: Për zbatim e projektim e ndërtime civile, ekonomike, punime dheu, sistemimin, taracime, prodhime elementësh të parafabrikuara, betoni e beton armë dhe kompletimi me instalimet e nevojshme për to. Ndërtime civile, industriale, turistike, bujqësore etj. Ndërtim rrugë të kategorive të ndryshme, veshje me asfaltobetoni të rrugëve/ndërtimmishtrese/sistemim e asfaltim sheshi.
Hapje komplekse sportive, hapje bar bufé, restorante, të hoteleve, pika servisi, lavazhe, fshatrave turistike, moteleve, si dhe agjenci për shit-blerje e dhënia me qira të pasurive të tundshme e të patundshme, agjenci komisionere, transport të udhëtarëve e mallrave si brenda dhe jashtë vendit.
Shërbime marketing. Gjithashtu, Shoqëria mund të kryejë çdo aktivitet tjetër të nevojshëm apo të dobishëm për realizimin e qëllimeve të saj, përfshirë edhe aktivitetin e ofrimit të shërbimeve, tregtimin, importin dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve.
Gjithashtu Skifter Tagani rezulton edhe pronar i kompanisë ‘ANTER SHPK’, e cila prodhon biskota dhe çokollata.