Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi” për dy vëllezërit Agim dhe Florenc Domi, të cilët u arrestuan pas kontrolleve në ambientet e kompanisë “Master AL”, ku u konstatuan ushqime të skaduara me etiketa të dyshuara të falsifikuara.
Sipas hetimeve, në magazinën që administrohej nga Agim Domi dhe ku punonte si magazinier vëllai i tij, Florenc Domi, grumbulloheshin produkte të skaduara të cilave u ndryshohej data e skadencës përpara se të hidheshin në treg.
Në kuadër të operacionit “Siguria Ushqimore”, Policia dhe Prokuroria sekuestruan 716 koli dhe sasi të konsiderueshme produktesh të përpunuara, si kroasantë dhe fruta të thata, të cilat ishin të skaduara prej rreth 7 muajsh.
Në seancën gjyqësore, të dy vëllezërit mohuan që produktet ishin destinuar për treg, duke pretenduar se ishin në pritje të asgjësimit sapo të krijoheshin kushtet financiare.
Megjithatë, hetimet për këtë rast do të vijojnë nën masën e arrestit shtëpiak.