Departamenti i Matematikës dhe Statistikës në Universitetin Luarasi, ka prezantuar programet akademike të reja për vitin e ri shkollor, duke theksuar përputhshmërinë me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike më të fundit.
I ftuar në studion e News24, përgjegjësi i këtij departamenti, Gentian Hoxhalli, theksoi se fakulteti i Teknologjisë së Informacionit ofron një gamë të gjerë programesh moderne dhe të përditësuara.
“Ofrojmë dy programe bachelor, Informatikë Ekonomike dhe Teknologji Informacioni dhe Inovacion. Të dyja programet janë trevjeçare, të strukturuara sipas Kartës së Bolonjës dhe përmbajnë lëndë të reja që i përgjigjen trendit aktual të punës,” u shpreh Hoxhalli.
Përveç ciklit të parë të studimeve, Universiteti Luarasi ofron edhe programe të avancuara masteri.
Sipas Hoxhallit, aktualisht janë në funksion masteri shkencor në Informatikë Ekonomike, Teknologji Informacioni dhe Inovacion, si dhe Siguri Kibernetike dhe e Informacionit.
“Jemi gjithashtu në pritje të licencimit për një program të ri master në Inteligjencën Artificiale, të cilin synojmë ta lançojmë në shtator ose tetor,” tha ai.