Mësimi në Universitetin Luarasi nisi sot me një minutë heshtje, për të nderuar figurën e profesorit dhe studiuesit të shquar, Aleks Luarasi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Përmes një mesazhi, stafi akademik i Universitetit shpreh ngushëllimet familjes së profesor Luarasit, si dhe të gjithë miqve dhe kolegëve të Tij.
“Ashtu sikurse fëmija e ka të vështirë të ndahet nga prindi, ashtu edhe ne i nderuar profesor Luarasi e kemi të vështirë t’ju themi ‘Lamtumirë!’ Sot kjo Shtëpi e dijes që ju themeluat është në zi për ndarjen Tuaj nga jeta, por fatbardhë për pasurinë njerëzore që ju latë pas.
Sot, bashkë me studentët që e nisën ditën e mësimit me 1 minutë heshtje, pedagogët dhe stafi i Universitetit ‘LUARASI’ i shprehin ngushëllime të përzemërta familjes së profesor Luarasit, si dhe të gjithë miqve dhe kolegëve të Tij.
Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mencurinë, pasionin dhe thjeshtësinë. Ai ka qenë jo thjesht themelues i Universitetit “LUARASI”, por edhe një baba shpirtëror për studentët, kolegët dhe të gjithë ata që e rrethonin.” thuhet ndër të tjera në mesazh.
Mesazhi i plotë i universitetit ‘Luarasi’ për ndarjen nga jeta të profesorit dhe studiuesit të shquar, Aleks Luarasi:
Ashtu sikurse fëmija e ka të vështirë të ndahet nga prindi, ashtu edhe ne i nderuar profesor Luarasi e kemi të vështirë t’ju themi ‘Lamtumirë!’ Sot kjo Shtëpi e dijes që ju themeluat është në zi për ndarjen Tuaj nga jeta, por fatbardhë për pasurinë njerëzore që ju latë pas.
Sot, bashkë me studentët që e nisën ditën e mësimit me 1 minutë heshtje, pedagogët dhe stafi i Universitetit ‘LUARASI’ i shprehin ngushëllime të përzemërta familjes së profesor Luarasit, si dhe të gjithë miqve dhe kolegëve të Tij.
Prof. Dr. Aleks Luarasi u lind në Luaras të rrethit të Kolonjës në vitin 1941. Në vitin 1972 është emëruar pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Gjatë 35 viteve të veprimtarisë së Tij mësimore dhe shkencore ka shkruar tekste të nivelit universitar, monografi dhe artikuj në fushën e shkencave juridike, disa prej të cilave janë botuar edhe jashtë vendit.
Punimet e tij kryesore janë: “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri”, “Shteti dhe e drejta shqiptare në epokën e Skënderbeut (1998), “Studime për të drejtën zakonore shqiptare – Marrëdhëniet familjare” (2001) etj.
Prof. Dr. Luarasi ka qenë Ministër dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Nga viti 1992 – 1998 ka qenë anëtar i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Evropës. Në vitin 1993 ka krijuar Shtëpinë Botuese “Luarasi” të profilit juridik dhe në po atë vit themeloi Universitetin “LUARASI” ku ka qenë edhe Rektor i tij.
Profesor Aleksi ka edukuar me dhjetëra breza studentësh, prej të cilëve do të mbahet mend për artin e tij të mësimdhënies, durimin, mencurinë, pasionin dhe thjeshtësinë. Ai ka qenë jo thjesht themelues i Universitetit “LUARASI”, por edhe një baba shpirtëror për studentët, kolegët dhe të gjithë ata që e rrethonin.
Ne, pedagogët dhe studentët e fakultetit të Drejtësisë të cilët u brumosën jo vetëm me thesarin e dijes Tuaj, por edhe me shpirtin e drejtësisë dhe të vërtetës, sot ju themi: U prehsh në paqe ashtu si vetë shpirti Yt i paqtë!



