Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila i dha të drejtë stafit të “Fokus Group” dhe urdhëroi kthimin e pajisjeve dhe dokumenteve të punës të sekuestruara më herët pa autorizim ligjor.
Në deklaratën e bërë publike nga zyra informuese e UGSH-së thuhet se vendimi i gjykatës është një mbrojtje e qartë e të drejtave ligjore të gazetarëve dhe duhet të zbatohet pa asnjë zvarritje nga organet shtetërore.
Reagimi:
Gjykata e Tiranës mbron të drejtën e punës së gazetarëve. UGSH kërkon zbatim të menjëhershëm të vendimit
Tiranë, më 12.08.2025
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë përshëndet vendimin e Gjykatës së Tiranës, i cili njeh dhe mbron të drejtat ligjore të gazetarëve dhe stafit të “Fokus Group”, duke urdhëruar kthimin e menjëhershëm të pajisjeve dhe dokumenteve të punës të sekuestruara pa autorizim.
Sipas vendimit:
Shoqëria KAYO është e detyruar të rikthejë brenda 48 orëve të gjitha materialet e marra nga ambientet e redaksisë, përfshirë kompjuterët, dosjet dhe çdo pajisje pune të gazetarëve.
Stafi të lejohet pa vonesë të hyjë në ambientet e “Panorama Group”, kontrata e së cilës është e vlefshme deri në vitin 2033.
Palët e dëmtuara të ndërmarrin brenda 15 ditësh veprimet ligjore ndaj institucioneve shtetërore për shkeljen e të drejtës së ushtrimit të profesionit dhe cënimin e sekreteve gazetareske.
UGSH kërkon nga organet shtetërore të zbatojnë menjëherë dhe pa asnjë zvarritje këtë vendim, duke ndaluar çdo veprim që pengon punën e lirë dhe të pavarur të medias.
Ky vendim gjyqësor duhet të shërbejë si precedent i qartë për të gjitha rastet e ardhshme, duke i kujtuar institucioneve dhe subjekteve private se cenimi i të drejtës së punës së gazetarëve dhe ndërhyrja në materialet e tyre profesionale përbën shkelje të rëndë ligjore dhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias në Shqipëri.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë