VOLTIZA DURO/ Dy kategori të reja janë përfshirë në listën e personave që duhet të kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Kjo sipas Udhëzimit nr. 10, datë 18.4.2025, të miratuar nga Ministria e Financave.
Këto ndryshime janë shtesa në Udhëzimin nr. 23, datë 9.12.2014 dhe synojnë të përshtatin legjislacionin me zhvillimet në tregun e punës, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit. “Në zbatim të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të ligjit nr. 9136, datë 11.9.2003, ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar; të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; të ligjit nr. 10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ministri i Financave udhëzon: Në pikën 10.8, të pikës 10, “Të tjera”, të udhëzimit nr. 23, datë 9.12.2014, pas kategorisë 39, shtohen kategoritë 40 dhe 41″, – thuhet në udhëzim.
KATEGORITË E REJA
Sipas udhëzimit të ri, Kategoria 40 përfshin personat e punësuar në profesionet e teknologjisë së informacionit (IT), të cilët janë të regjistruar në subjekte me aktivitet kryesor në këtë fushë dhe që operojnë sipas ligjit nr. 58/ 2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”. Ndërsa Kategoria 41 përfshin personat e punësuar në subjektet zhvilluese, gjithashtu të përfshira në kuadrin e ligjit nr. 58/2022. Ky ligj, i miratuar për të nxitur zhvillimin teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, krijon bazën ligjore për funksionimin e parqeve teknologjike dhe përfshirjen e profesionistëve të kësaj fushe në skemën e mbrojtjes sociale. Vendimi është marrë në zbatim të Kushtetutës dhe një sërë ligjesh që rregullojnë mbledhjen e kontributeve dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, përfshirë ligjin për procedurat tatimore dhe ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Për zbatimin e këtij udhëzimi është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ndërsa ai hyri në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të tregut të punës në sektorin e teknologjisë, rritjes së mbulimit social për profesionistët e rinj dhe përmirësimit të politikave të punësimit në vend.
KATEGORITË EKZISTUESE PËRFITUESE NË SKEMË
Kategoritë përfituese në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfshijnë një gamë të gjerë individësh në kushte të veçanta. Ndër ta janë punonjësit në leje lindjeje apo raport mjekësor, personat me aftësi të kufizuara, gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë, kujdestarët e invalidëve, të vetëpunësuarit me pension, si dhe përfituesit e përkrahjes sociale dhe të pagesës së papunësisë. Këto kategori përfitojnë mbulim nga skema duke ruajtur statusin kontributiv edhe kur nuk janë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë pune, në varësi të kushteve të përcaktuara në ligj.
KATEGORITË PËRFITUESE
KATEGORIA 1-39 Kategoritë ekzistuese përfituese që përfshijnë: persona në leje lindjeje, raport mjekësor, me aftësi të kufizuara, përfitues të ndihmës ekonomike, të papunë me pagesë papunësie, gra të papuna me e 3 fëmijë, të vetëpunësuar me pension, kujdestarë invalidësh, etj..
KATEGORIA 40 Personat e punësuar në profesionet e teknologjisë së informacionit (IT), të regjistruar në subjekte me aktivitet kryesor në fushën e IT-së dhe që operojnë sipas ligjit nr. 58/2022 për parqet teknologjike dhe shkencore.
KATEGORIA 41 Personat e punësuar në subjektet zhvilluese që veprojnë sipas ligjit nr. 58/2022 për krijimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore.
/Gazeta Panorama