Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit do t’i mbajë dyert e mbyllura edhe për disa muaj. Specialistët kanë nisur punën për sistemimin e objekteve në katin e parë të godinës, ekspozita e të cilit i kushtohet periudhës së antikitetit, ndërsa ende nuk kanë filluar të trajtohen objektet e periudhës së mesjetës, që do të instalohen në katin e dytë.
Oborri, që do të ketë pamjen e një parku arkeologjik, thuajse ka përfunduar, ndërsa po projektohet një shteg kalimi prej disa qindra metrash që bashkon Muzeun me vendzbulimin e banesës romake, në themelet e ish-shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”.
Kjo rrugë këmbësorësh do të shërbejë për vizitat e turistëve në të dy objektet e rëndësishme të qytetit antik.
Punimet restauruese në Muzeun Arkeologjik të Durrësit kanë nisur në vitin 2022. Megjithë vonesat e shkaktuara gjatë realizimit të projektit të financuar nga programi EU4Culture, të cilat do ta vonojnë vënien në funksion të Muzeut Arkeologjik, një lajm i mirë lidhet drejtpërdrejt me një nga zbulimet më të rëndësishme të fillimit të shekullit të kaluar.
Mozaiku i njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit” do të vendoset së shpejti në hyrje të Muzeut Arkeologjik Kombëtar të qytetit 3 mijëvjeçar.
Një urdhër i ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, ka vënë në lëvizje institucionet dhe tashmë mozaiku që kishte zbukuruar hyrjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është përgatitur në disa pjesë për t’u transportuar drejt qytetit antik.
I njëjti ekip specialistësh që e transferoi dhe e instaloi mozaikun e mirënjohur të Durrësit në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981, do ta sjellë atë në Durrës, në qytetin ku u zbulua në vitin 1916 nga arkeologu ushtarak austriak Camillo Praschniker.
“Bukuroshja e Durrësit” është mozaiku më i shquar i zbuluar në vendin tonë. Ai u gjet rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake në Luftën e Parë Botërore për hapjen e një transheje fortifikuese në qendër të Durrësit.
Oficeri austriak Camillo Praschniker, i cili ishte edhe një arkeolog i shquar, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Ai është i pari që botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë, duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurativ.
Më pas mozaiku u mbulua përsëri dhe humbi për 33 vjet.
Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi e risolli në dritë në vitin 1959 një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore të antikitetit.
Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi, ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë, Schober dhe Praschniker, në fillim të shekullit XX, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.
Falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2.300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit, si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Schober dhe Praschniker.
Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.
Mozaiku u transferua në vitin 1981 në Tiranë për t’u instaluar në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa pas disa javësh do të jetë pjesë e Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit, qytetit ku u zbulua thuajse 110 vjet më parë./BIRN


